E vërteta shqiptare

Shkruan: Shkëlzen HALIMI, Shkup

Përpjekjet e ndërkombëtarëve për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë duket se në pah do të nxjerrin edhe shumë paqartësi, mbase edhe kontradikta me elemente opiumi, që ta harrohet e kaluara, aty edhe ku është shtrati i së vërtetës shqiptare dhe argumenti kyç që e lakuriqëson deri në palcë politikën armiqësore serbe ndaj qenies shqiptare.

Tashmë është e dukshme tendenca që shqiptarët nga viktima të luftës të shndërrohen në agresorë dhe në këtë drejtim ka kohë që po zhvillohet një fushatë e suksesshme serbe, por që fatkeqësisht, në këtë drejtim, nuk po mungon as aktivizimi i instinktit të vetë-shkatërrimit tonë, instinkt ky që historikisht ka qenë jo vetëm prezent, por edhe i kobshëm, kurse e gjithë kjo tashmë është e dukshme dhe shprehur me përplot shembuj edhe në oborrin tonë.

Zbehja e kujtesës

UÇK-ja, si një organizim me përmasa epike, e cila u bë gurrë e pashtershme inspirimi për çlirimin përfundimtar të Kosovës nga makineria shkatërruese e politikës antishqiptare serbe, pas më shumë se 20 vjetëve do të detyrohet të ulet në bankën e akuzës vetëm e vetëm për ta njollosur veprën e shenjtë të këtij organizimi, që jo vetëm se manifestoi një vullnet të paparë popullor, por edhe e detyroi faktorin ndërkombëtar, përkatësisht NATO-n, që të përfshihet në mbrojtjen e popullatës shqiptare nga forcat shkatërruese serbe, që nuk zgjidhnin mjete duke vrarë e dhunuar pleq, gra e fëmijë.

Natyrisht, derisa të gjithë pritnin se ardhmëria e Kosovës do të ndërtohet mbi idealet e atyre që e sakrifikuan jetën për liri, çuditërisht filloi zbehja e kujtesës. Nuk kaloi shumë kohë dhe sikur gjithçka u harrua, sepse ndër shqiptarët në Kosovë filloi një luftë tjetër, një luftë vetë-shkatërruese, lufta për pushtet, e cila i rrënoi pothuaj të gjitha ëndrrat për ardhmërinë.

Dhe, ja ku jemi 20 vjet më vonë. Shqiptarët e Kosovës do të akuzohen për agresionin ndaj Serbisë dhe kemi një përmbysje totale të fakteve, të argumenteve, ndonëse akoma kullojnë plagët e makinerisë vrastare serbe, ndonëse janë edhe mbi një mijë shqiptarë të pagjetur, ndonëse akoma mbahen në heshtje dhunimet e mijëra femrave (respekt për Vasfije Krasniqin – Gudman, e cila mori guximin dhe tronditi botën demokratike me rrëfimin e saj), rrëfimet e të cilave do të mjaftonin për ta heshtur përgjithmonë politikën serbe ndaj Kosovës dhe jo vetëm kaq, por këto rrëfime do t’i turpëronin edhe brezat e ardhshme serbe.

Dhe, ja ku jemi 20 vjet më vonë përballë një Gjykate Speciale, e cila para opinionit ndërkombëtar, historinë e luftës së pastër çlirimtare mund ta përmbysë dhe të bëhet histori e njollosur.

Dhe, ja ku jemi 20 vjet më vonë, pa asnjë projekt konkret, pothuaj pa asnjë gjurmë konkrete, të faktuar me dokumente konkrete se në Kosovë 20 vjet më parë pati një agresion të paparë dhe se populli shqiptar ishte në prag të zhbërjes nga makineria vrastare serbe, e cila ishte ideuar më shumë se një shekull më parë nga Akademia Serbe, një institucion ky që vazhdon t’i projektojë me sukses kahet e politikës serbe, e cila në vazhdimësi humbjen e shndërron në fitore, duke e shitur si “histori” të suksesshme.

Dhe, ja ku jemi 20 vjet më vonë në Kosovën tonë të shenjtë, ku më shumë punë u bë për t’u treguar të tjerëve se në këtë Kosovën tonë, pra të shenjtë, në fakt nuk paska ndodhur asgjë e keqe dhe se ne qenkemi e keqja e vetvetes.

Akademia e Kosovës

Megjithatë, nuk është vonë që gjërat t’i kthejmë në pikën zero dhe t’i lëvizim ngadalë, por sigurt. Nuk është vonë që botës demokratike jo vetëm t’ia tregojmë, por edhe t’ia përkujtojmë të vërtetën e madhe se shqiptarët asnjëherë, ama asnjëherë nuk kanë qenë agresorë, por gjithnjë janë mbrojtur, duke lejuar që toka e tyre të tkurret deri në përmasa tragjike.

Le të bashkohen të gjithë faktorët relevantë rreth Akademisë së Kosovës, le të bëhet projekti, le të mblidhen faktet materiale dhe le të hartohet libri për politikat serbe ndaj Kosovës, për historinë e mëhershme, por edhe për historinë më të re, për masakrat serbe mbi shqiptarët, për dhunimin e femrave shqiptare, për të vërtetën e UÇK-së dhe për shumë të vërteta tjera. Kuptohet, prapa këtij projekti duhet të qëndrojë shteti i Kosovës. Nuk është e nevojshme që ky libër të jetë në gjuhën shqipe, por në gjuhët kryesore botërore dhe pastaj le t’u dërgohet të gjitha qendrave dhe organizatave më të rëndësishme botërore. Fatkeqësisht, opinionin botëror shumë pak e kemi informuar me atë që ka ndodhur në Kosovë. Andaj dhe shtrohet pyetja se çfarë bëjnë diplomatët shqiptarë gjithandej nëpër botë?

Nga ana tjetër, kemi politikën dhe diplomacinë serbe që ditë e natë punon dhe investon që ta bindë botën se politika e saj është paqësore dhe se janë pikërisht shqiptarët ata që nuk e duan paqen. Pikërisht në saje të kësaj politike dhe në saje të kësaj diplomacie agresive, duke i përdorur të gjitha mjetet u ndikua që të vijë deri te jetësimi i Gjykatës Speciale, e cila fatkeqësisht mori edhe bekimin e shumicës së subjekteve shqiptare në Parlamentin e Kosovës. Pra, me apo pa vetëdije, u lejua që të themelohet një institucion që, siç u pa, pjesëtarët e UÇK-së i akuzon për “dhunë” ndaj serbëve, përkatësisht akuzohet viktima për dhunë ndaj agresorit.

E vërteta për Kosovën duhet t’i bëjë bashkë të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë dhe veprojnë. Sot, si asnjëherë më parë, të gjithë duhet të kontribuojmë dhe të flasim me një zë, sepse këtë e kërkojnë mijëra e mijëra viktima shqiptare, mbi viktimizimin e të cilëve sot po ndërtohet Kosova. Koha nuk na premton dhe nuk duhet ta harxhojmë atë duke debatuar se kush do ta mbajë flamurin, kush do të qëndrojë në krye. Kjo fare nuk është e rëndësishme. Me rëndësi është ta hartojmë librin e së vërtetës dhe t’ia shpërndajmë botës demokratike. Natyrisht, aty ku është dialogu, është edhe kompromisi, por ky kompromis duhet të jetë i mbështetur në fakte bindëse.

Është një këngë, mbase do të thosha kult këngë e grupit Jericho, që mban titullin KANGA JONË. Petrit Çarkaxhiu, front-men i këtij grupi, në tekstin e tij (me temë politike), veç tjerash shkruan:

Veç edhe njëherë të ecim dhe t’jemi bashkë si dikur

Zemra për zemrën e tjetrit të jetë për ne si flamur

Dora që zgjat kur rrëzohem është ajo që ne na mban

Mos e lejo të harrohet se nuk kemi tjetër vatan.

Të vërtetën shqiptare për Kosovën duhet ta nxjerrim në pah sa më shpejt. Dhe këtë duhet ta bëjmë bashkërisht, me zemër e dashuri, kurse meritat do të kenë vetëm një adresë: popullin shqiptar, i cili nuk meriton që të ketë edhe një kapitull tragjik në historinë e tij.