Jakup Krasniqi dhe Vaso Pasha

Valon Elezi

Poema e famshme e Vaso Pashë Shkodranit “O moj Shqypni” në njërën nga thirrjet e saja kishte edhe këto fjalë “mos shikoni kisha e xhamia, se feja e shqiptarit është shqiptaria”. Këtë thirrje me simbolikë ndryshe nga ajo që mund të kuptohet në shikim të parë, pushteti komunist me interpretimet e saja e përdori për qëllime ideologjike të komunizmit e ateizmit, si moto për ta lënë dhe hedhur anash fenë. Këtë gjë e bënë të gjithë ata që deshën t’ia përshtatin ateizmit të tyre personal. Edhe sot madje, persona të tillë ekzistojnë ndër nesh. Por a deshi një gjë të tillë ta nënkuptojë Vaso Pashë Shkodrani? Absolutisht jo. Në fakt, thirrja e Vaso Pashë Shkodranit nuk ishte që njerëzit të lënë besimet e tyre dhe të krijojnë besim të ri në etninë, por mos të jenë fetë dhe përkatësitë e tyre fetare, qoftë muslimane, katolike apo ortodokse, faktorë të përçarjes e cila do ta bëjë të pamundur ndërtimin e konceptit të shqiptarizmës dhe ndërtimin e një shteti shqiptar. E Vaso Pashë Shkodrani, një atdhetar katolik nga Shkodra, tërë jetën e tij gëzoi detyra në një perandori e cila për nga ndërtimi i saj ideor, ishte Hilafet, pra Perandoria Osmane.

E pse po e përmendi pikërisht Vaso Pashën duke ndërlidhur emrin e tij me Jakup Krasniqin? Kjo, për disa arsye me sa vijojnë:

1. Sot në Hagë, para Gjykatës Speciale u paraqit Jakup Krasniqi si rezultat i Aktakuzës ndaj tij nga kjo Gjykatë për periudhën 1998-99 si pjesë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Në njërën nga deklaratat e tij e që kanë të bëjnë me Aktakuzën, Jakup Krasniqi deklaroi “nuk jam as musliman as katolik, jam shqiptar”.

2. Deklarata në fjalë, nuk duhet të nxirret nga konteksti dhe nuk duhet keqpërdorur për teke personale nga ata që ende kanë mbetur në mendësinë komuniste, siç është keqpërdorur vargu i poemës se Vaso Pashë Shkodranit, por e njëjta duhet të interpretohet drejtë. Një interpretim emotiv e sentimental, e shohim edhe te ata që shprehin pakënaqësi se pse Jakup Krasniqi ka mohuar përkatësinë e tij si musliman.

3. Deklarata e Jakup Krasniqit erdhi si rezultat i akuzave se UÇK-ja ka tentuar dhe ka bërë krime kundër pakicës shqiptare të përkatësisë fetare katolike. Kjo akuzë e rëndë, e padrejtë, e pabazë dhe e poshtër, pos që bie në shpinën e UÇK-së, bie edhe në elementin musliman shqiptar. Deklaratën e Jakup Krasniqit nuk do ta merrja si deklaratë ku mohon përkatësinë fetare, por deklaratë përmes së cilës ai don të dëshmojë se lufta e UÇK-së ka qenë luftë me parametra tërësisht etnike e kombëtare kundër agresorit serb. Këtu edhe do ta krahasoj vargun dhe thirrjen e Vaso Pashë Shkodranit me deklaratën e Jakup Krasniqit.

4. Shikuar edhe më hollësisht, Jakup Krasniqi me ose pa vetëdije, bëri një mbrojtje të mirë të elementit musliman shqiptar, duke mohuar kategorikisht ndonjë element të jo tolerancës dhe durimit ndaj shqiptarëve katolikë. Bile, kjo shkon në nje vijë me tezën të cilës i besoj fuqishëm, madje do ta deklaroja si formulë të pandryshueshme se ndër shqiptarët ka tolerancë ndërfetare për shkak se dhe vetëm për shkak se shumica e shqiptarëve janë me përkatësi fetare muslimane. Nëse ekziston ndonjë pakënaqësi te ndonjë shqiptar katolik, e njëjta nuk ka prapavijë dhe motiv fetar islam.

5. Në evidencën time personale, asnjëherë, kurrë, nuk kam vërejtur ndonjë dozë islamofobie, urrejtje ose fjalë të rëndë të Jakup Krasniqit ndaj Islamit dhe muslimanëve (ndoshta ka, por unë nuk kam hasur). E nëse Vaso Pasha ka bërë thirrje, Jakup Krasniqi ka bërë deklaratë për veten e tij. E mirë, kush ja mohon Jakup Krasniqit dhe çdo njeriu të deklarojë për veten e tij se a beson apo nuk beson ose në çfarë beson e çfarë përkatësie fetare ka?! Nëse një liri të tillë na e ka dhënë edhe Zoti, nuk mund askujt ti hidhemi mbi qafë çfarë beson e çfarë përkatësie fetare posedon.

6. Nga Ipeshkvia e Kishës Katolike të Republikës së Kosovës deri tani nuk kemi asnjë zë. Në vend se të hidhet pezm mbi një deklaratë të Jakup Krasniqit, ne duhet të revoltohemi me përfaqësues të Kishës Katolike të Kosovës dhe përfaqësues organizativ të komunitetit katolik të Kosovës se si, burrat e botës, nuk morën guximin të dalin me deklaratë dhe siç i ka hije vëllait për vëllanë të deklarojnë se ato akuza janë të pabaza dhe se ata gëzojnë tolerancë të lartë prej shqiptarëve muslimanë dhe se akuzat ndaj UÇK-së janë të pabaza? Pyes: Shqiptarëve katolikë më shumë u intereson ndotja e shqiptarëve muslimanë pa pikë faji apo pastërtia e UÇK-së?! Nëse nuk reagojnë, atëherë, u intereson vetëm e para dhe aspak e dyta.

7. Jakup Krasniqi, me një paraqitje emotive, madje më të dobët e të pambrojtur, sot, duhej të ishte plaga më e madhe e tërë shqiptarëve. Sot duhet të kritikohen politikanët, institucionet, mediat dhe gazetarët të cilët nuk reagojnë për këtë akuzë të rëndë dhe akuzat tjera, por bëjnë sehir me emisione me debate banale.

8. Në fund, deklarata e Jakup Krasniqit duhet të kuptohet drejtë. Të mirren parasysh akuzat e rënda, periudha, rrethanat, konteksti real i deklaratës dhe karakteri i UÇK-së si organizatë për mbrojtjen dhe çlirimin e Kosovës. Unë jam shqiptar musliman, nuk e di çfarë përkatësie fetare ka Jakup Krasniqi, por ai, është heroi im.