E diela e parë e vitit, ditë jo pune – dyqanet dhe kompanitë që punonin, sot janë të mbyllura

Inspektorët në terren duke kontrolluar nëse dyqanet dhe kompanitë e tjera e respektojnë Ligjin për të dielën ditë jo pune. Dyert e dyqaneve që paraprakisht punonin të dielën, mbetën të mbyllura. Një prej përjashtimeve janë restorantet ku ata që nuk punojnë mund të ulen për të pirë kafe ose për të ngrënë.

Nga Inspektorati shtetëror për punë rikujtojnë se prej sot fillon zbatimi i Ligjit E diela ditë jo pune dhe i thirrin të punësuarit të denoncojnë nëse i njëjti nuk respektohet.

Në kontroll janë edhe inspektorët e Inspektoratit të tregut. Drejtoresha Aneta Simeska Dimoska në deklaratë për TV21 tha se nga orët e hershme të mëngjesit janë në kontroll të dyqaneve dhe kompanive. Për ata që do ta shkelin ligjin, nëse do të ketë vetëm paralajmërim duke marrë parasysh se kjo është e diela e parë si ditë jo pune ose do të ketë gjoba, Simoska tha se patjetër duhet të respektohet ligji.

Punëdhënësit të cilët nuk do ta respektojnë ligjin, do të ballafaqohen me ndalesë për punë në afat prej 15 ditëve dhe kallëzim penal. Simeska thotë se gjobat për shkelësit do të jenë të larta.

Me këtë ligj përfshihen punëtorët e 41 veprimtarive. Për sindikatat ligji është i pranueshëm por kanë vërejtje se duhen mekanizma më të mëdha për mbrojtjen e punëtorëve.