Akuza për dhunë policore ndaj dy të rinjve, 21 dhe 23 vjeç, kanë nxitur reagimin e ashpër të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), e cila kërkon hetim të menjëhershëm dhe dorëheqjen e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni.
Sipas dëshmive të të rinjve, policët dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri, kanë shpuar gomat dhe kanë thyer xhamin e automjetit të tyre. Ata pretendojnë se më pas janë lidhur, shtrirë përtokë dhe janë dhunuar fizikisht.
Ndërkohë, sipas raportimeve për dokumentacionin e brendshëm policor, ekziston një version tjetër i ngjarjes, sipas të cilit të rinjtë i kanë marrë pistoletën një zyrtari policor. Ata e kundërshtojnë këtë pretendim, duke deklaruar se arma ka përfunduar në veturë gjatë ndërhyrjes policore.
BDI kërkon zbardhjen e plotë të rastit, hetim të pavarur dhe përgjegjësi për çdo shkelje të mundshme nga zyrtarët policorë.
“Heshtja dhe mungesa e përgjegjësisë nuk janë opsion!”, thuhet në reagimin e partisë, e cila kërkon dorëheqjen e Astrit Isenit.
Rrethanat e incidentit dhe pretendimet për dhunë mbeten për t’u verifikuar nga institucionet kompetente.





