Dy kërçovarë – kirurgë në Spitalin e Bazelit

Faik Elezi dhe Arben Xhambazi po bëjnë karrierë si mjekë në Spitalin Universitar të Bazelit, me shkollën që të dy vetëm pjesërisht e kanë kryer në Zvicër.

Për Kërçovën, për herë të parë kisha dëgjuar para 60 vjetësh, derisa jetoja në Shkup. Nuk e dija nëse ishte fshat, apo qytet. Dija vetëm që shqiptari më i ‹madh› i Shkupit, që drejtonte ndërmarrjen e pastrimit të qytetit ishte nga Kërçova. Komuniteti e çmonte Rexhep Zajazin, sepse nëpërmjet tij mund ta siguronin një punë pastruesi apo shoferi kamionësh. Ai ishte edhe këngëtar i njohur, e udhëhiqte treshen kërçovare ‹Trio-Zajazi›, që ishte hisja e vetme shqiptare e në një emision javor në Radio Shkupi.

Pas 60 vjetësh, sërish takoj dy kërçovarë, por në rrethana të tjera. Ishte korriku i sivjetmë, kur në korridoret e Spitalit Universitar Bazelit, që ka rreth 700 mjekë, takova dy mjekë shqiptarë. Ajo që i bashkon ata është vendlindja dhe rruga drejt një shkence që kërkon shumë dituri e sakrifica. Janë doktorët e fushës së kirurgjisë, Faik Elezi, nga Garani, dhe Arben Xhambazi, nga Crvica – dy fshatra jo larg njëri-tjetrit në komunën e Kërçovës.

Secili nga këta kirurgë e ka mënyrën e vet të migrimit në shtetin helvetik: Faiku nëpërmjet babait, Arbeni nëpërmjet gruas. Ata shumë shpejt u gjetën në kushtet e volitshme të këtij vendi. Ndonëse, edhe ato duhet ditur t’i shfrytëzosh. Takimi e njohja e tyre ndodhi në Bibliotekën Universitare të Bazelit.

Vetëm fakultetin në Zvicër

Faikun e kisha njohur edhe më parë në takimet e studentëve shqiptarë gjatë përpjekjeve për themelimin e një unioni. Ishte ndër më të zellshmit në këtë nismë, sepse ajo do ta përbënte një strukturë të mirë organizative të studentëve shqiptarë në Zvicër. Punët nuk shkuan si duhet dhe nisma ngeli në gjysmë. Por, Faiku nuk u ndal. Siç tregon ai vetë, në Zvicër erdhi në vitin 2002, si 19-vjeçar, ndaj edhe iu desh një angazhim e sakrificë e madhe për t’i kompensuar deficitet nga shkolla në vendlindje.

«Kur erdha në Zvicër, sapo e kisha mbaruar Shkollën e Mesme të Mjekësisë në Tetovë dhe nuk më njiheshin të gjitha lëndët, ndaj edhe m’u desh t’i nënshtrohem mësimit plotësues, veçmas në gjuhën gjermane», rrëfen ai, dhe vazhdon: «Në Friburg i ndoqa kurset përkatëse. M’u desh t’i nënshtrohem edhe provimit për mjekësi në Universitetin e Bazelit, ku nga 260 kandidatë,118 arritëm të pranoheshim. Nga fillimi jam përballur me një kulturë tjetër. E mira ishte se nga shkolla e mesme e Tetovës e kisha trashëguar një bazë të fort të latinishtes dhe të lëndëve të profesionit. Pritja për hapjen e Fakultetit të Mjekësisë në Tetovë nuk m’u përmbush. Dëshira për studime më solli në Zvicër», shpjegon gjatë takimit të fundit doktor Faiku.

Pas diplomimit në vitin 2010, në Degën e Mjekësisë në Universitetin e Bazelit, për një vit punoi në Repartin e Kirurgjisë në Claraspital (Bazel). Në vitin 2012 do të gjendet në detyrën e mjekut në specializim, si asistent, në kirurgjinë torakale në Spitalin Universitar në Bazel. Në saje të punës së tij vetëmohuese në profesion, avancon shumë shpejt. «Në fillim punova si kirurg i përgjithshëm, specializimi zgjat gjashtë vjet. Deri më tash kam realizuar 522 operacione në fusha të ndryshme, po domeni im është kirurgjia e zemrës», pohon ai.

Edhe fakultetin në vendlindje

Bashkëshoqëruesi në takim, njëherësh bashkëvendësi i Faikut, doktor Arben Xhambazi, e kishte pas një rrugëtim tjetër. Ai, jo vetëm shkollimin e mesme, por edhe Fakultetin e Mjekësisë e kishte kryer në Maqedoni, në Shkup. Në Zvicër ka migruar së voni. Kishte rastisur që të njihen në Bibliotekën Universitare të Bazelit, ku edhe kanë mësuar që babai i Arbenit ka qenë arsimtar i Faikut.

«Biblioteka, siç i lidh lexuesit me kulturat e ndryshme, qe rast i mirë që unë me Faikun t’i shpejtojmë kontaktet. Ishim bashkëvendës dhe specializonim në të njëjtën fushë mjekësie. Prejardhja dhe profesioni na ofruan edhe më tepër», thotë Arbeni, që tash punon kirurg në Spitalin Universitar të Bazelit. Që të dy janë edhe pjesë e Forumit të Kirurgëve të Rinj në Zvicër dhe thonë se, për fat të mirë, nuk janë edhe të vetmit shqiptarë. Një emër nga Zugu është Elza Mehmeti.

Në Bazel me rrethinë edhe më parë kam takuar shqiptarë të suksesshëm. Por, paraqitja në të bardha e këtyre doktorëve të bën të ndihesh në një botë tjetër. Si ai plaku që pas një operacioni në një spital të rregulluar kishte menduar se ishte në parajsë. Kur tërheq një paralele ndërmjet këçovarëve që kisha takuar 60 vjet më parë në Shkup dhe këtyre tash në Bazel, nuk jam larg nga parafytyrimi i atij plaku.

Marr nga: dialogplus.ch