Durmishi: Janë shpallur dy thirrje të reja publike prej 7 milionë denarë për industrinë përpunuese

Ministria e Ekonomisë dhe Punës ka shpallur dy thirrje të reja publike me mbështetje financiare të përgjithshme prej 7 milionë denarësh, të destinuara për përmirësimin e konkurrueshmërisë së kompanive vendore nga industria përpunuese.

Me thirrjet publike sigurohet mbështetje konkrete në dy fusha të rëndësishme – forcimi i bashkëpunimit mes kompanive dhe universiteteve përmes projekteve të përbashkëta, si dhe futja, zbatimi dhe certifikimi i standardeve dhe zhvillimi i praktikave të përgjegjësisë shoqërore.

“Përcaktimi ynë është që mbështetjen publike ta orientojmë drejt masave që krijojnë vlerë afatgjatë për kompanitë dhe ekonominë. Me këto dy thirrje publike sigurojmë gjithsej 7 milionë denarë për industrinë përpunuese, me fokus tek inovacionet, njohuritë, teknologjitë e reja, standardet dhe konkurrueshmëria më e madhe. Duam që kompanitë vendore të jenë më të forta, më moderne dhe më mirë të përgatitura për prezantim në tregjet evropiane dhe botërore”, deklaroi ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi. përcjell Zhurnal.mk .