Zvicra synon krijimin e një qendre të re për dronë

Autoritetet zvicerane kanë njoftuar planet për krijimin e një qendre të re ekselence për sistemet pa pilot, transmeton Anadolu.

Siç raporton Swissinfo, ministri i Mbrojtjes, Martin Pfister, shefi i Forcave të Armatosura, Benedikt Roos, dhe drejtori i agjencisë Armasuisse, Urs Loher, njoftuan në një poligon ushtarak se do të krijohet një qendër e re për dronë.

Departamenti Federal i Mbrojtjes (DDPS) do të krijojë gjithashtu një batalion të ri dronësh dhe një shkollë për rekrutë.

Qendra do të lehtësojë zhvillimin, testimin dhe integrimin e teknologjive të reja të dronëve në forcat e armatosura, duke bashkuar nevojat e trupave, ekspertizën teknologjike të industrisë së armatimeve dhe njohuritë e universiteteve.

Nga viti 2028, ushtria do të ketë një batalion dronësh të përqendruar në zbulim dhe mbrojtje, krahas një shkolle të specializuar për rekrutimin dhe trajnimin e personelit ushtarak.

Rregulloret e nevojshme dhe korniza ligjore gjithashtu do të përditësohen për të mbështetur kapacitetet e reja.