Në konferencën e sotme për shtyp, këshilltarja e Levicës, Maja Durgutova, paralajmëroi se rasti i fundit i konstatuar nga Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi edhe një herë tregon se punëtoret shtatzëna në Maqedoni ende nuk gëzojnë mbrojtje të efektshme institucionale.
Durgutova rikujtoi se Komisioni ka konstatuar diskriminim mbi bazë gjinie, identiteti gjinor dhe shtatzënie, pasi vetëm dy ditë pasi punëdhënësi mori vesh se e punësuara ishte shtatzënë, ai filloi me vërejtje disiplinore, presione dhe përpjekje që ajo të ndërpriste marrëdhënien e punës me marrëveshje. Si pasojë e këtij trajtimi, punëtorja përfundoi në pushim mjekësor për shkak të gjendjes së përkeqësuar shëndetësore.
“Ky nuk është rast i izoluar. Gjatë viteve të kaluara, opinioni ishte dëshmitar i shumë rasteve të mosvazhdimit të kontratave të punës për punëtoret shtatzëna, degradimeve pas kthimit nga pushimi i lehonisë dhe formave të tjera të diskriminimit të lidhura me shtatzëninë dhe mëmësinë. Edhe vetë Komisioni paralajmëroi se po rritet numri i paraqitjeve pikërisht mbi këto baza”, theksoi Durgutova.
Në konferencën për shtyp u theksua se pikërisht për shkak të këtyre keqpërdorimeve, Levica këtë vit propozoi ndryshime në Ligjin për Marrëdhëniet e Punës, me të cilat do të forcohej mbrojtja e punëtoreve shtatzëna dhe do të parandalohej keqpërdorimi i kontratave të punës me kohë të caktuar. Propozimi u refuzua nga deputetët e VMRO‑DPMNE-së.
Sipas Levicës, kjo është edhe një dëshmi se Qeveria, kur duhet të zgjedhë mes interesave të punëtorëve dhe interesave të kapitalit, gjithmonë vendos në anën e punëdhënësve të mëdhenj. Ndërsa odat ekonomike marrin vëmendje sa herë që kërkojnë lehtësira të reja, kërkesat për mbrojtje më të madhe juridike të punëtorëve hidhen poshtë me arsyetimin se nuk duhet të “ngarkohet ekonomia”.
Levica sërish i bëri thirrje deputetëve të VMRO‑DPMNE-së të mbështesin ndryshimet e propozuara të Ligjit për Marrëdhëniet e Punës dhe të sigurojnë mbrojtje të vërtetë, e jo deklarative, për punëtoret shtatzëna. Nga partia theksuan se legjislacioni i punës nuk duhet të jetë instrument për mbrojtjen e interesave të kapitalit, por garanci që punëtorët do të jenë të mbrojtur pikërisht atëherë kur janë më të cenueshëm. përcjell Zhurnal.mk .





