Duhani do të ndalohet në lokale dhe institucione publike në RMV, por edhe në vetura nëse aty ka fëmijë

Ligji për mbrojtje nga përdorimi i duhanit filloi të shqyrtohet në Kuvend ndërsa për nesër është vendosur në rend dite në seancë plenare. Me ndryshimet ligjore, parashihet ndalim pothuajse total i pirjes së duhanit në hapësirat publike, raporton Alsat. Duhani dhe cigaret elektronike nuk do të mund të konsumohen në asnjë institucion shëndetësor, në çerdhe, shkolla, universitete e konvikte, në institucione shtetërore e komunale, në vendet e punës, në autobusë dhe mjete tjera të transportit, në stacione autobusi, hekurudhore apo aeroport, në qendra tregtare, dyqane, tregje e panaire, në hotele, restorante, kafene dhe diskoteka, në kazino dhe objekte të lojëra të fatit, në ndërtesa kolektive e të tjera. Duhani do të jetë i ndaluar brenda 20 metrave nga hyrjet e spitaleve, shkollave, universiteteve dhe çerdheve, objekte ku qëndrojnë fëmijë si dhe qendrat sportive. Nëpër automjetet private, ndalohet tërësisht nëse brenda ka fëmijë apo ndonjë i mitur. Nëpër lokale, lejohet vetëm në tarraca plotësisht të hapura dhe gjysmë të hapura me të paktën dy anë tërësisht të hapura.

Zv.ministri i shëndetësisë duke prezantuar ligjin, njoftoi se do të ketë dhe ndalim të plotë të promovimit të duhanit.

“Për herë të parë ndalohet ekspozimi i produkteve në shitore, shitja përmes internetit dhe përmes automateve si dhe format e ndryshme të promovimit përmes rrjeteve sociale, përmes lirimeve apo lojërave shpërblyese. Përforcohet mbrojtja e të miturve përmes kontrollit të domosdoshëm të moshës gjatë shitjes përmes masave për parandalim dhe mbështetje për heqje dorë nga përdorimi i duhanit dhe produkteve të ngjashme”, deklaroi Jovica Andovski, zv.ministër i shëndetësisë.

Nëpër shitore e markete, cigaret nuk do të guxojnë të ekspozohen nëpër rafte. Të njëjtat duhet të ruhen në dollapë të mbyllur dhe të fshehura nga konsumatorët. Blerësit do të kenë mundësi të shohin vetëm një listë me emrin dhe çmimin e cigareve. Sa i përket gjobave, në vendet ku është e ndaluar, nëse qytetarët konsumojnë duhan, do të dënohen nga 150 deri në 300 euro. Për bizneset gjobat variojnë nga 500 deri në 5000 euro.

Sipas të dhënave të OBSH-së, mbi 45% e popullatës së rritur në Maqedoni konsumon duhan dhe konsiderohet si një nga vendet me përqindjen më të lartë të duhanpirjes. 13,6% e duhanpirësve janë të moshës 13 deri 15 vjeç ndërsa 73% e të miturve të cilët kanë dashur të blejnë duhan, nuk janë refuzuar nga shitësit. Ligji në Kuvend është dorëzuar me flamur evropian pasi siç sqaroi zv.ministri i shëndetësisë Andovski, e njëjta harmonizohet me legjislacionin e BE-së.

Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë së Veriut në fillim të qershorit e miratoi Projektligjin për Mbrojtjen nga përdorimi i produkteve të duhanit ose produkteve të ngjashme, duke e vlerësuar si një hap i rëndësishëm për shëndetin publik dhe për krijimin e një hapësire publike më të shëndetshme, më të sigurt dhe më të përgjegjshme.

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu në emisionin TROÇ në Portalb.mk, tha se gjobat janë maksimale dhe do të arrijnë lartësinë e 5 mijë eurove për lokal nëse nuk e respekton Ligjin. Ndërkaq, ata që pijnë duhanin ku nuk është e lejueshme do të duhet të paguajnë nga 200 deri 300 euro.

Projektligji për mbrojtjen nga duhani në Maqedoninë e Veriut synon të reduktojë ndjeshëm ndikimin e pirjes së duhanit mbi shëndetin publik, duke vendosur zona të veçanta për duhanpirësit dhe duke mbrojtur qytetarët që nuk pinë duhan. Sipas të dhënave të fundit, 13.6% e nxënësve nga klasa e shtatë deri në të nëntën konsumojnë duhan, çka tregon rëndësinë e masave parandaluese në nivel kombëtar. Ligji fillimisht u shty për shkak të shqetësimeve të hotelierëve dhe tregtarëve të vegjël, të cilët paralajmëruan se do të përballen me shpenzime shtesë dhe mund të humbasin vende pune nëse nuk përshtaten me rregullat e reja, duke prekur mbi 4.000 biznese të vogla dhe të mesme.  Ligji pritet të përpunohet në Parlament, duke shpresuar për një ulje të numrit të duhanpirësve nën 20% brenda dy viteve.