Drejtori i CIA-s në një udhëtim të rrallë në Moskë, diskutojnë për marrëdhëniet SHBA-Rusi

Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), William Burns, është duke realizuar një vizitë të rrallë në Moskë për të diskutuar për marrëdhëniet SHBA-Rusi, dhe është një prej takimeve të rangut të lartë pavarësisht që mes këtyre dy vendeve ekziston një listë e gjatë e çështjeve për të cilat ato kanë mospajtime, shkruan Reuters.

Zëdhënësi i ambasadës amerikane ka njoftuar se Burns po i prin një delegacioni të zyrtarëve të lartë amerikanë në Moskë, vizitë kjo dyditore që është bërë me kërkesën e presidentit amerikan Joe Biden, transmeton Telegrafi.

“Ata po takohen me anëtarët e qeverisë ruse për të diskutuar për një sërë çështjesh dhe marrëdhëniet bilaterale”, ka shtuar zëdhënësi i ambasadës amerikane.

E Këshilli rus për Siguri, tha se Burns ka pasur një takim me Nikolai Patrushev, Sekretar i Këshillit dhe njëherit ish-kreun e inteligjencës ruse e njohur si FSB.

Asnjëra palë deri më tani nuk kanë dhënë detaje të kësaj bisede, por marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve u acaruan dukshëm viteve të fundit që nga sulmet kibernetike në zgjedhjet presidenciale në SHBA e deri te përkrahja e Moskës për presidentin sirian Bashar al-Assad.

Madje tensionet u rritën edhe kur kreu i opozitës ruse Alexei Navalny u arrestua, dhe Rusia aneksoi Krimenë nga Ukraina në vitin 2014.