Incident i rëndë në Zvicër: Shtetasi i Maqedonisë së Veriut sulmon një polak, policia bllokon dy rrugë

Një aksion i madh policor është zhvilluar të enjten mbrëma në qytetin St. Gallen të Zvicrës, pasi një shtetas 51-vjeçar i Maqedonisë së Veriut dyshohet se ka sulmuar fizikisht një 36-vjeçar nga Polonia.
Ngjarja ka ndodhur më 29 tetor, rreth orës 21:20, në një ndërtesë në rrugën Metzgergasse. I dëmtuari ka deklaruar se ishte goditur me një revolver, çka ka alarmuar policinë për mundësinë e përdorimit të armës së zjarrit.
Në vendngjarje janë dërguar disa patrulla policore, një njësi speciale dhe ekip negociatorësh. Për arsye sigurie, policia ka bllokuar dy rrugë dhe ka evakuuar mysafirët nga lokalet dhe baret përreth.
Pak para mesnatës, policia ka arrestuar 51-vjeçarin. Megjithatë, hetimet kanë zbuluar se nuk ishte përdorur armë zjarri, por një karabinë metalike, e cila është gjetur dhe sekuestruar në banesën e tij.
Pas kontrolleve policore, shtetasi i Maqedonisë së Veriut është liruar. Sipas policisë zvicerane, bëhet fjalë për një vepër që ndiqet me propozim të të dëmtuarit, ndërsa deri tani nuk është paraqitur kallëzim.
Aksioni policor ka përfunduar para orës 01:00 pas mesnate. Autoritetet kanë bërë të ditur se gjatë gjithë incidentit nuk ka pasur rrezik për qytetarët e tjerë.