“Dramë për të qesh” në Teatrin e Tetovës! Komedi premierë që ironizon pushtetin dhe artin

Nesër në Teatrin e Tetovës do të jepet premiera e shfaqjes “Dramë për të qesh”, një komedi me tekst dhe regji të Sulejman Rushitit. Shfaqja, përmes situatave të përditshme, dialogëve të mprehtë dhe një galerie karakteresh, trajton përplasjet e egove, raportin mes artistëve dhe politikës, si dhe luftën për poste dhe ndikim, duke përcjellë mesazhin se rolet dhe karriget nuk janë të përhershme. Aktorët, me lojën e tyre dinamike, sjellin një atmosferë plot humor, ironi dhe reflektim shoqëror, duke i premtuar publikut argëtim dhe një përvojë të veçantë teatrore. Kjo komedi ka shfaqje brenda shfaqjes, sepse në rol kryesor është një aktor i cili është i kapur politikisht.

“Teksti “Dramë për të qeshë” është shkruar nga profesori Sulejman Rushiti dhe ka të bëj me aktualitetin e sotëm. Ka përplasje karakteresh përplasje egosh apo lufta për pushtet. Me këtë shfaqje duam të përcjellim mesazhin se jo gjithnjë luftohet për karrige role apo poste sepse nuk janë të përhershme. Ka shumë situata komike dhe besoj që do e pëlqej publiku dhe është diçka që ndodhë për herë të parë shfaqe brenda shfaqjes në Teatrin e Tetovës”, tha Linda Shabani.

“Në këtë shfaqje janë një mori karakteresh të luajtura me mjeshtëri nga kolegët aktorë, karaktere që më hyrje daljet e tyre dhe situatat apo dialogët komike që bëjnë mbajnë pezull vëmendjen e publikut. Një ndër këto karaktere jam unë, pra një aktor që ka bë karrierë përmes mbështetjes së partive politike, pra e ka shpirtin e shitur si njeri dhe artist tek politika, dhe për të më e rëndësishme është vetë kryetari i partisë se sa roli apo shfaqja dhe vetë teatri”, tha Arsim Kaleci.