Do të rinovohet pista në Aeroportin e Shkupit, punimet do të zgjasin 50 ditë

TAV Maqedoni si pjesë e planit të investimit për zgjerim dhe renovim të aeroporteve të Maqedonisë së Veriut, duke filluar nga 28 marsi deri më 16 maj të këtij viti, në periudhën prej 50 ditëve, do të kryejë rehabilitimin e pistës në Aeroportin Ndërkombëtar Shkup. Trafiku ajror gjatë kësaj periudhe do të zhvillohet çdo ditë nga ora 17:00 pasdite, deri në orën 09:00 të mëngjesit.

Nga TAV Maqedoni informuan se në konsultim me të gjitha palët e interesuara, punët ndërtimore për rehabilimitin, do të bëhen pa mbyllje të aeroportit dhe me ndikim minimal mbi trafikun ajror.

“Rehabilimi i pistës do të thotë se praktikisht do ta rindërtojmë shtresën e sipërme të asfaltit në pistë, prandaj, gjatë kësaj periudhe, ndërmjet orëve 09:00 dhe 17:00, nga 28 marsi deri më 16 maj të vitit 2022, në pistë do të kryhen punët ndërtimore. Çdo ditë, në periudhën kohore të përmendur, do të rehabilitohet një pjesë e gjatësisë së tërësishme të pistës, me qëllim që aeroporti të mbetet operativ, gjegjësisht, të mundemi normalisht t’i realizojmë fluturimet gjatë pjesës tjetër të ditës, nga ora 17:00 deri në orën 09:00”, thotë në deklaratë të shkruar drejtori i përgjithshëm i TAV Maqedoni, Metin Batak.

Siç thekson Batak, aeroporti i Shkupit nuk do të mbyllet gjatë rehabilitimit të pistës, gjegjësisht do të qëndrojë i hapur për pasagjerët 24/7, si gjithmonë.

TAV Maqedoni i këshillon pasagjerët rregullisht t’i ndjekin dhe kontrollojnë ueb faqet e kompanive ajrore, me qëllim që t’i shohin përditësimet më të fundit të fluturimeve për destinacionin e tyre të dëshiruar nga Aeroporti Ndërkombëtar Shkup në periudhën nga data 28 mars deri më 16 maj të vitit 2022.