​Avokati: Nuk ka prova të pranueshme për akuzat kundër Gucatit

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po vazhdon paraqitja e deklaratës përmbyllëse nga mbrojtja, në gjykimin ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

Avokati Jonathan Elystan Rees ka thënë se nuk ka asnjë provë të pranueshme që tregon se Gucati e ka penguar punën e zyrës së Prokurorit të Specializuar. Rees gjithashtu ka thënë se prokuroria nuk ka vërtetuar që dosjet nuk përmbajnë materiale të cilat do të ndikonin në integritetin dhe paanshmërinë e ZPS-së.

Në ditën e dytë të paraqitjes së deklaratës përmbyllëse, avokati i Gucatit ka thënë se ZPS nuk ka vërtetuar që shkëmbimet e letrave me autoritetet serbe nuk përmbajnë parregullsi.

“ZPS për shkak të mungesës së kompetencave që ka jashtë Kosovës dhe që nuk ka kompetenca në Serbi, që është shteti që ka kryer një luftë agresive në Kosovë në ’98 deri në 2000, që është periudha kohore që është në juridiksionin e kësaj gjykate, pra kjo e vendosë ZPS-në në një rrezik të ndërhyrjes dhe manipulimit në duart e autoriteteve serbe. Ajo që pranuat ju të nderuar gjykatës, që provat për veprimet e parregullta, të cilat do të ndikonin në paanshmërinë e veprimeve të ZPS-së dhe integritetit të tyre është një shqetësim legjitim i zotit Gucati, por ne nuk kemi mundur ta shtjellojmë atë në këtë gjykim”, ka thënë Rees.

Ai ka shtuar se prokuroria nuk mund të thotë se e ka vërtetuar që tri dosjet nuk përmbajnë asnjë provë të parregullsisë që do të mund të ndikonte në hetimet dhe integritetin e tyre.

“Ata (ZPS) nuk kanë treguar asnjë provë të nderuar gjykatës, ne nuk kemi mundur ta shtjellojmë këtë çështje, sepse nuk na është dhënë përmbajtja e plotë e atyre dosjeve dhe prokuroria nuk ka mundur të vërtetojë përtej dyshimti të arsyeshëm që nuk ka prova të veprimeve të parregullta në këtë drejtim. Ata do të mund ta bënin këtë vetëm nëse do t’ju tregonin juve të nderuar gjykatës përmbajtjen e ndërveprimeve që kanë bërë ata, dhe jo vetëm kërkesat për asistencë që u kanë drejtuar autoriteteve serbe, por që ju të shikonit edhe përmbajtjen e këtyre ndërveprimeve dhe çfarë si kanë reaguar ata ndaj kërkesave, çfarë përgjigje kanë dhënë dhe si e kanë bërë këtë. Kjo do të ishte e vetmja mënyrë që prokuroria të provonte përtej dyshimit të arsyeshëm se në ato dosje nuk ka pasur asgjë që të ndikonte në pavarësinë dhe integritetin e hetimeve të tyre”, ka thënë Rees.

Derisa ka folur për pikën e katërt të aktakuzës, atë të veprimit të hakmarrjes, avokati Rees ka thënë se nuk ka prova që tregojnë se është shkaktuar dëmtim.

“Prokuroria nuk ka vërtetuar që veprimet e të akuzuarit janë drejtuar për të bindur ca persona që të mos bëjnë deklarata për DhSK-në dhe për të dhënë informacione apo hetime në të ardhmen. Pra ne mendojmë që përfundimi që mund të nxirret është ndryshe nga kjo që sapo u tha, dhe siç e thamë në mënyrë të përsëritur, synimi konkret i të akuzuarit ishte thjesht për të ekspozuar nivelin e bashkëpunimit ndërmjet ZPS-së dhe Serbisë dhe që ZPS, siç e thotë i akuzuari, është e njëanshme”, ka thënë Rees.

Ai ka thënë se Hysni Gucati ka shprehur shqetësimet dhe kundërshtimet e tij për gjykatën në mënyrë publike dhe këtë e ka bërë që disa vjet më parë.

Ndërsa lidhur me pikën e parë të aktakuzës, që është pengimi i personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, avokati Rees ka thënë se nuk ka asnjë provë që thotë se është nxitur ose ka pasur përpjekje nga i akuzuarit që të përdorë kërcënimin apo kanosjen.

“Nuk kemi asnjë provë të pranueshme sa i takon pengimit të punës së ZPS-së. Çfarë detyrash zyrtare nuk ka qenë në gjendje të përmbushë ZPS si rezultat i veprimeve të zotëri Gucatit, nuk kemi asnjë provë sa i takon pengimit të kontrollit, sekuestrimit, nuk kemi gjithashtu asnjë lloj pengimi, ndonjë provë që dëshmon pengimin e arrestimit, nuk kemi dëgjuar asnjë dëshmi të pranueshme nga kjo gjykatë e cila ka të bëjë me pengimin e punës së prokurorisë nga veprimet e të akuzuarit”, ka thënë Rees.

Deklaratat përmbyllëse po dëgjohen pasi kanë përfunduar paraqitjet e provave dhe dëshmitarëve nga të dy palët.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Gucati e Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës./KP