Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Djuric, i është përgjigjur kryediplomatit shqiptar Ferit Hoxha, pas shqetësimeve të ngritura nga Tirana lidhur me deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiç për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.
Djuric e cilësoi reagimin e Hoxhës si një përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga ato që ai i konsideron shkelje të të drejtave të serbëve në Kosovë.
“Ajo që po shohim është një përpjekje e qartë për të ndryshuar temën dhe për të larguar vëmendjen nga shkeljet e vazhdueshme të të drejtave themelore të popullit serb në Kosovë (dhe Metohi)”, deklaroi Djuric.
Kryediplomati serb argumentoi se Shqipëria nuk është shtet nëpër të cilin kalon Ibri dhe as pjesë e pellgut të tij ujor, ndaj, sipas tij, Tirana nuk ka bazë territoriale apo hidrologjike për të pretenduar rol në mënyrën se si Serbia administron burimet ujore brenda territorit të saj.
“Serbia është një shtet sovran dhe do të vendosë vetë se si t’i menaxhojë burimet e saj natyrore. Shqipëria nuk do t’i marrë këto vendime dhe as askush tjetër jashtë Serbisë”, tha ai.
Reagimi i Djuric shkon më tej, duke e lidhur ndërhyrjen e Tiranës me atë që ai e konsideron një çështje më të gjerë politike në rajon.
“Nuk ka vend për një Shqipëri të Madhe, apo për ndonjë projekt tjetër të bazuar në ekspansionizëm etnik dhe ndryshim kufijsh, në të ardhmen evropiane të rajonit tonë”, deklaroi ministri serb.
Sipas tij, rajoni nuk ka nevojë për krijimin e shteteve të reja apo më të mëdha kombëtare, por për kufij që humbasin gradualisht fuqinë për të ndarë njerëzit, duke respektuar njëkohësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të çdo shteti.
Reagimi vjen pasi Hoxha deklaroi se ndryshimi i rrjedhës së një lumi që është pjesë e një sistemi ujor ndërkufitar nuk mund të konsiderohet thjesht një çështje e brendshme e Serbisë.
Kryediplomati shqiptar kërkoi që çdo projekt që mund të ndikojë në rrjedhën, sasinë ose cilësinë e ujërave që prekin Kosovën të shoqërohet me vlerësim të ndikimit ndërkufitar dhe konsultime me palën e prekur.
“Uji nuk mund të përdoret si instrument presioni politik dhe as si mjet për të ndëshkuar një vend apo një popullsi tjetër”, kishte deklaruar Hoxha.
Djuric iu referua gjithashtu qëndrimeve të fundit të Shqipërisë ndaj politikës së jashtme të Beogradit, përfshirë kontaktet ndërkombëtare të Serbisë.
“Vëmendja është prekëse, por diplomacia me altoparlant nuk i shërben asnjërit prej vendeve tona”, tha ai.
Sipas ministrit serb, Tirana dhe Beogradi duhet të ulin retorikën dhe t’i rikthehen marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, të bazuara në “respekt të ndërsjellë, barazi sovrane dhe bashkëpunim të vërtetë”.



