Disa shtetas të Ukrainës arrijnë në Maqedoni: “Është shumë e vështirë, 5 ditë po udhëtojmë nëpër rajone të ndryshme”

Sot në Deve Bair arritën qytetarë nga Ukraina.  Deri tani sipas ministrit te jashtëm Bujar Osmani janë evakuuar rreth 120 persona shtetas të Maqedonisë së Veriut bashkë me familjet e tyre.

Disa nga personat që arritën treguan se kanë kaluar nëpër shumë vështirësi duke udhëtuar gati 5 ditë me radhë.

“Është shumë e vështirë, pesë ditë po udhëtojmë nëpër rajone të ndryshme dhe gjendja është shumë e vështirë në Ukrainë”

Në cilin qytet ishit ju?

“Ishim në Kharkiv dhe për fat të keq e pamë atje gjendjen, ishte shumë vështirë për tu evakuuar, por falënderoj MPJ-në. Ishim në objekt banesor për shkak se vendi për evakuim ishte shumë larg dhe ishte rrezik që të dalim. Atje ishim deri në ditën e fundit dhe me shumë mund dolëm prej aty falë OSBE-së.”

“Falë Zotit që erdhëm në shtëpi gjallë e shëndoshë, e falënderoj shumë ministrin i cili personalisht u angazhua për evakuimin tonë. Siç e shihni unë ende jam nën stres psikik, ende nuk jam e vetëdijshme se kemi ardhur në Maqedoni, gjashtë ditë jemi rrugëve dhe kaluam shumë pengesa.” /TV21