“Bac, s’u kry” – kur nostalgjia e luftës bëhet shkallë për pushtet

Fejzi HAJDARI
“Bac, s’u kry” – një parullë që thotë shumë më tepër sesa duket. Sidomos kur del në rrugë në një kohë kur disa politikanë duket se ende nuk janë pajtuar me një fakt të thjeshtë: zgjedhjet kanë përfunduar dhe pushteti nuk është pronë e përjetshme e askujt.

27 vjet pas luftës, Kosova ka shtet, institucione, ushtri, polici dhe qytetarë që votojnë. Por disa duket se ende jetojnë politikisht në vitin 1999. Kur nuk mjafton programi, përdoret historia. Kur nuk mjafton vota, përdoret emocioni. Kur nuk mjafton argumenti, nxirret në skenë UÇK-ja.

Kjo është pjesa më cinike e gjithë kësaj historie: UÇK-ja kujtohet më shumë kur nevojitet si dekor politik.

Askush nuk ka të drejtë ta privatizojë sakrificën e luftës dhe ta përdorë atë si kartë anëtarësie në pushtet. UÇK-ja i përket historisë së Kosovës dhe popullit të saj, jo një partie, grupi apo lideri.

Protesta është e drejtë demokratike. Por protesta nuk është referendum dhe rruga nuk është kuti votimi.

Nëse dikush mendon se qeveria ka dështuar, le të dalë para qytetarëve me program, alternativa dhe argumente. Le t’i fitojë zgjedhjet. Kaq e thjeshtë është demokracia.

Por ideja se pushteti mund të merret duke ndezur emocionet e luftës, duke thirrur heronjtë e së kaluarës dhe duke krijuar klimë përplasjeje është politikë e dëshpëruar, jo vizion shtetëror.

Kosova nuk ka nevojë për politikanë që i rikthehen luftës sa herë humbin betejën elektorale. Ka nevojë për politikanë që dinë ta fitojnë paqen.

Prandaj, “Bac, s’u kry” mund të tingëllojë bukur si parullë. Por për politikën e vitit 2026 pyetja është tjetër:

Çka s’u kry? Lufta? Jo. Ajo përfundoi.

Ajo që duket se nuk po kryhet është lufta për pushtet.

Dhe zotërinj, një lajm i keq: pushteti nuk merret nga rruga. Pushteti fitohet me votë.