Dështuan ta transferojnë Messin, por Al-Hilal ka gati goditjen e trefishtë nga Chelsea

Al-Hilal ka qenë shumë pranë transferimit të tyre më të madh në histori të klubit.

Skuadra arabe ishte afër t’i siguronte shërbimet e Lionel Messit, por në fund sulmuesi argjentinas vendosi t’i bashkohej Inter Miamit.

Megjithatë skuadra arabe nuk është dorëzuar për të marrë yje të mëdha në skuadër, pasi dëshiron ta rikthejë titullin e kampionit.

Bardhekaltërtit kanë në plan afrimin e tre yjeve nga Chelsea në afatin kalimtar veror për ta përforcuar skuadrën për sezonin e ri.

Mediat angleze kanë raportuar se Al-Hilal gjatë kësaj jave do të dorëzojë një ofertë zyrtare në pako në drejtim të Chelseat për portierin senegalez Edouard Mendy, mbrojtësin Kalidou Koulibaly si dhe sulmuesin Romelu Lukaku.

Arabët duan të gjejnë fillimisht marrëveshje me Chelsean, pastaj nuk është problem për kontratat e lojtarëve pasi atyre i sigurohen qindra miliona euro.

Të tre futbollistët kanë oferta të rëndësishme nga Evropa, por nuk përjashtohet mundësia që të pranojnë një lëvizje në drejtim të kampionatit arab, duke marrë parasysh kontratat multi milionëshe që po ofrohen nga klubet.

Gjithsesi nëse All-Hilal arrin të bëj këtë goditje të trefishtë nga Chelsea, atëherë do të ndërtojnë një skuadër të frikshme për sezonin e ri.