Dëshira e madhe e Neymarit për t’u kthyer te Barcelona

Neymar është duke bërë përpjekje të mëdha që t’i ribashkohet Barcelonës në këtë verë, ndërsa Paris Saint-Germaini planifikon ta sanksionojë largimin e tij.

Pas një sezoni jo të kënaqshme, braziliani është lidhur me një largim nga Parc des Princes, me Manchester United, Chelsea e Al-Hilal që kanë shprehur interesim për shërbimet e tij.

Ndërsa tani, gazeta spanjolle, Sport, raporton se sulmuesi dëshiron të kthehet në Camp Nou, megjithëse marrëveshja mund të jetë e komplikuar.

Xavi ka thënë në të kaluarën se Neymar nuk është në planet e tij këtë verë, ndërsa edhe situata financiare te klubit shkon në dëm të dëshirës së 31-vjeçarit.

Mirëpo, me situatën aktuale është i mundshëm huazimi, ndërsa lojtari duhet të pajtohet që ta ulë pagën te Blaugranët.

Kujtojmë se gjatë qëndrimit të parë te Barcelona, Neymar shënoi 105 gola në 168 paraqitje duke fituar trofe të shumta, përfshirë edhe tripletën historike në sezonin 2014/2015.