Deschamps fton PSG që ta pushojnë Mbappen para Kupës së Botës

Selektori i kombëtares së Francës, Didier Deschamps pret nga PSG që t’i japin pak pushim yllit të tyre, Kylian Mbappe, para Kupës së Botës.

Mbappe u aktivizua me kombëtaren e Francës në grumbullimin aktual dhe gjeti edhe golin. Ai mund të ketë minuta në dispozicion edhe sonte, ndonëse asgjë s’është konfirmuar.

Megjithatë, sipas Deschamps, lojtari duhet t’i ofrohet pakëz pushim në periudhën para Kupës së Botës, kur ai është me skuadrën e tij.

“E di se ai (Galtier) akoma dëshiron të luajë me Mbappe”, ka thënë Deschamps, transmeton lajmi.net.

“Por, kohë pas kohe: duhet të marrë pakëz frymë, të ketë më pak minuta, nuk do t’i bëjnë dëm, përkundrazi”, shtoi trajneri i Francës.

Mbappe është figurë kyçe në skuadrën e Francës dhe do të jetë pika mbështetëse në rrugëtimin e Francës drejt triumfit në Kupën e Botës.