Deri 26 mijë euro do të jepen kompensim për ushtarët e paguar në Maqedoni

Pjesëtarët e Armatës së Republikës së Maqedonisë të cilëve u skadon angazhimi me 45 vite të mbushura, nëse nuk mund të punësohen në institucione tjera shtetërore, do të mund të marin kompensim prej 1.000 eurove për çdo vit stazh që e kanë kaluar në shërbim ushtarak.
Këtë e njoftoi sot ministrja e mbrojtjes Radmilla Shekerinska, pas takimit me Sindikatën e mbrojtjes, ku i ka informuar anëtarët për propozimin e Qeverisë, i cili siç tha, ka për qëllim të shpaguajë ushtarët që kanë merita, transmeton gazeta Lajm.

”Ushtarët që kanë 15 vite stazh do të fitojnë 15 mijë euro, ose ata që kanë 26 vite, do të fitojnë 26.000 euro”, sqaroi Shekerinska.
Sindikata reprezentative dha përkrahje të plotë për propozimin e Ministrisë duke kërkuar që sa më shpejtë të implementohet ky propozim.