Gir: Më shumë angazhim për mbrojtjen e pasurive

Ambasadori i BE-së Dejvid Gir bën thirrje për angazhim më të madh nga Qeveria dhe autoritetet lokale në mënyrë që Ohri dhe rajoni i tij ta ruajnë statusin në UNESCO. Gir gjithashtu kërkon mbështetje më të madhe financiare nga shteti, në mënyrë që të realizohen vërejtjet e UNESCO-s.

Vetë ruajtja e trashëgimisë natyrore dhe kulturore e rajonit të Ohrit kërkon angazhim të madh të Qeverisë për të zbatuar të gjitha ato rekomandime, gjë që kërkon edhe koordinim më të madh midis ministrive përgjegjëse dhe institucioneve të tjera. E gjithë kjo kërkon angazhim në nivelin nacional dhe lokal, i cili do të mbështetet nga mbështetja e duhur buxhetore. Duhet të jetë përfshirje nacionale që do të bashkojë të gjithë aktorët në shoqëri– deklaroi Dejvid Gir – Ambasador i BE-së.

Gir kërkoi mbështetje më të madhe nga të gjitha forcat politike në vend, si dhe marrëdhënie partneriteti mes pushtetit dhe shoqërisë civile. Kryetari i Komunës së Ohrit, Gjeorgjieski thotë se nuk do të jetë tragjedi nëse rajoni gjendet në atë listë.

Vendosja e Ohrit në listën e rrezikuar nuk është tragjedi, ashtu siç i paraqitet publikut. Nëse kjo ndodh, duhet të dyfishojmë përpjekjet tona, si vetëqeverisje lokale dhe si shtet, për të bërë plan që të gjitha rekomandimet t’i zbatojmë me shpejtësi. Atë do ta zgjidh UNESCO në seancë. Procesi i heqjes së objekteve të paligjshme duhet të përshpejtohet dhe është proces që do të vazhdojë dhe nuk do të përfundojë brenda natës. Flasim për vendosjen në liste e rrezikut të të gjithë rajonit prej 400 kilometrash, i cili është i vështirë për tu mbrojtur’ pohoi Konstantin Gjeorgjieski – Kryetar i Komunës së Ohrit.

Raporti i UNESCO vë në dukje një numër vërejtjesh, të cilat nuk janë zbatuar në vitet e fundit, në lidhje me dështimin në trajtimin e ndërtimeve të paligjshme, por gjithashtu edhe projekte të caktuara që janë kërcënim për rajonin.