Depresioni politik

Shkruan: Blerim Shala

Duhet të lihet prapa menaxhimi i krizave dhe të krijohet procesi i cili do të shpie në normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

De-eskalimi nuk do të mbetet më koncepti i vetëm i synuar ndërkombëtar në adresimin e çështjes së Veriut të Kosovës dhe të raporteve të Kosovës dhe Serbisë.

Kosova dhe Serbia duhet të kenë fqinjësi të mirë, etj.etj.

Të gjithë ne i kujtojmë këto fjali të zyrtarëve relevantë perëndimorë, të cilët në fundvitin e shkuar dhe në fillimin e këtij në të cilin jemi, në këtë mënyrë përshkruanin, shkurt dhe qartë, qëllimin e Propozimit Evropian për një Marrëveshje të përkohshme midis Kosovës dhe Serbisë, e cila do të shërbente si një themel për atë Marrëveshjen finale, gjithpërfshirëse, për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes të këtyre dy shteteve.

Çdo acarim i situatës në Veriun e Kosovës, e cila gjë u shënua veçmas në nëntorin dhe dhjetorin e vitit të kaluar, ishte alarm për kryeqendrat e Perëndimit, ndieshmëria e të të cilave kishte përjetuar një rritje dramatike në vijim të Luftës në Ukrainë të shkaktuar nga agresioni i Rusisë.

Kishte pra, argumente me bollëk, duke përfshirë këtu edhe ato që dëshmonin ngecjen evidente në dialogun e Brukselit  (dhe vendnumërimin e tij për vite me rradhë), që më kështu nuk mund të vazhdohet në adresimin e temës së bisedimeve në mes të autoriteteve më të larta të Prishtinës dhe Beogradit, dhe që duhet të ndodhë një kthesë dramatike politike dhe diplomatike.

Edhe nga perspektiva e sotme, nuk ka si të mos vlerësohet si mbresëlënëse dhe shpredhënëse nisma fillestare franko – gjermane, pastaj, përgatitja e Propozimit Evropian dhe të Aneksit të tij, intensifikimi i bisedimeve në Bruksel dhe në Ohër, etj.etj.

Por, çfarë ndodhi javëve të fundit, riktheu atë gjendjen e një lloji të ‘depresionit politik’, që ‘bluan’ përditë e më shumë perspektivën e ecjes para të procesit të zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit  (të 27 shkurtit), dhe të Aneksit të Ohrit  (18 marsit).

Këtë të martë, me 2 maj, siç dihet, pas një muaj e gjysmë, do të takohen Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, me nikoqir Josep Borrellin, Përfaqësuesin e Lartë të BE-së dhe Miroslav Lajčakun.

Pak a shumë dihet se çka do të jetë në Rendin e ditës së këtij ballafaqimi të ri në nivelin e lartë.

Por, thënë troç, shumë më me rëndësi është ajo çfarë nuk ka gjetur vend në Agjendën e këtij takimi.

Kjo ka të bëjë me atmosferën me shumë dyshime dhe përgënjeshtrime e cila po e përcjell këtë dialog, së bashku me një asnjanësi shqetësuese ndërkombëtare ndaj deklaratave të njëpasnjëshme të Presidentit të Serbisë, në të cilat nuk merret vesh më çka ka pranuar ai në të vërtetë, kur flitet për nismën franko – gjermane, (herë thotë që ky e ka pranuar konceptin e Marrëveshjes, e herë Marrëveshjen), dhe për zbatimin e Propozimit Evropian  (ku ai mohon mundësinë e implementimit të plotë të këtij Propozimi, por vetëm të atyre elementeve të cilat janë të pranueshme për Beogrdain zyrtar).

Presidenti Vučić ka evoluar edhe më shumë për të keq, që prej se në Ohër, Kryediplomati Borrell shpalli dakordimin e dytë në mes të tij dhe Kryeministrit Kurti (pas atij të Brukselit).

Bazuar në fjalorin të cilin po e përdorë gjithnjë e më shumë në paraqitjet e tij publike, ai, në të vërtetë, po i fryen me të madhe një armiqësimi të ri me Kosovën dhe tensionimi tjetër me Perëndimin, politikanët dhe diplomatët e të të cilit ky po i fyen dhe po i përbuzë.

Së paku deri këtë të hënë  (1 maj, kur po shkruhet ky tekst), nuk ka fare shenja të zbutjes së Presidentit Vučić karshi Kosovës dhe Perëndimit.

Është vështirë të pritet që një takim i vetëm, si ky i nesërmi, edhe nëse shkon më së miri  (gjë që nuk pritet thuaja prej askujt), do të mund ta ndryshojë thelbësisht këtë atmosferë të rënduar e cila po e përcjell këtë proces.

Nuk mund të ecet në këtë mënyrë para në këtë ndërmarrje që ka për synim afatgjatë normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, duke mos pasur një klimë politike shumë më të volitshme në relacionet e këtyre dy shteteve, por edhe të Serbisë dhe Perëndimit.