Sërish anulohet seanca për zgjedhjen e kryetarit të ri të Këshillit Gjyqësor

Anulohet sërish seanca për zgjedhjen e kryetarit të ri të Këshillit Gjyqësor, përcjell TV21. Ende nuk dihen arsyet e anulumit të seancës, e cila ishte caktuar fillimisht për 27 prill, por që u shty për sot, ndërsa sërish dështoi. Ndryshe, zgjedhja e kryetarit të ri vjen pasi me 26 prill u shkarkua Vesna Dameva, në atmosferë tensionesh.

Arsyeja e drejtpërdrejtë e shkarkimit ishte refuzimi i saj për të vendosur një pikë të re në rendin e ditës dhe, siç thuhet, fshehja e letrës nga ambasadorja amerikane Anxhela Ageler. Shkarkimin e saj e iniconi nënkryetari Selim Ademi, propozim i cili pas disa orësh tensionesh dhe debatesh, mori mbështetje nga 7 prej 13 anëtarë të Këshillit.

Letra që trazoi opinionin dhe gjyqësorin, ambasadorja amerikane Ageler ua ka dërguar më 11 prill të këtij vitit autoriteteve gjyqësore dhe ekzekutive. Në të, ajo shpreh shqetësimin për vendimin e Gjykatës së Apelit – Shkup për kthimin në procedurë të shkallës së parë për rigjykim të disa lëndëve, siç thotë ajo, të profilit të lartë.

Nga Ministria e Drejtësisë konfirmojnë se në adresë të ministrit të Drejtësisë, Krenar Lloga “është dërguar shkresë për punën e gjykatave të apelit, e cila do të analizohet më tej. Krahas ministrit të Drejtësisë Lloga, letra i është dërguar dhe shefit të diplomacisë Bujar Osmani, Gjykatës Supreme, Gjykatës së Apelit – Shkup dhe në disa gjykata themelore.