Mali i Zi dhe iluzioni i Perëndimit në adresë të Serbisë!

NGA PROF. DR. ENVER BYTYÇI

Para tetë vitesh Serbia dhe Rusia u bënë fajtorë për skenën e terrorit që organizuar në Mal të Zi. Ishte viti 2015, vjeshtë, kur forcat e terrorit serb e rus u angazhuan në skena horror në Mal të Zi për ta likuiduar fizikisht liderin e pavarësisë, Milo Gjukanoviç. NATO, BE dhe SHBA dhanë alarmin. Në një takim në Bruksel me James Shea, ai më thoshte se “as në skenat filmike të Hollivudit nuk kishim parë diçka të tillë, çfarë Serbia dhe Rusia bënë në Mal të Zi”!

Po çfarë ndodhi tani pas gati tetë vitesh? Pse Serbia po lejohet të jetë e pranishme dhe gradualisht ta rikthejë Malin e Zi nën sovranitetin e saj?! Kush është ai djall që i bashkohet djajve në Beograd e në Moskë për të rrënuar lirinë dhe pavarësinë e Malit të Zi! Pse po ndodh paqësisht me bekimin e Brukselit dhe Uashingtonit ajo që ndodhi ose do të ndodhte përmes dhunës në vitin 2015?! Zgjedhjet e fundit paralajmërojnë se ky vend nuk do të jetë më i pavarur. Se do t’i bashkohet Serbisë. Po si do të jetë shteti i ardhshëm Serbi-Mali i Zi; – Unitar apo federal?! Nëse do të rikrijohet federata e Milosheviçit Serbi-Mali i Zi, atëherë a do të ketë një formulë tjetër edhe për Kosovën?

Rezoluta 1244 rekomandonte që për Kosovën zgjidhja të gjendej në kuadër të Federatës Jugosllave. Që do të thoshte Republikë në këtë federatë. Në korrik 2006 Mali i Zi, kur shpalli pavarësinë e tij, i parapriu pavarësisë së Kosovës. Milo Gjukanoviç u bë ylli i kësaj lëvizjeje historike. Megjithëse bashkësia ndërkombëtare vuri kusht që për pavarësinë të votonin mbi 55 përqind e popullsisë, ai e arriti këtë. Ishte e paprecedentë të vihej ky kusht. Por edhe këtë sprovë e kaloi ish-politikani jetëgjatë Gjukanoviç, I bindur se po i bënte shërbimin më të mirë të mundshëm vendit të tij.

Tani po kthehemi në pikën zero. Bashkësia Perendimore ka rënë dakord që Malin e Zi t’ia bëjë kurban Serbisë. Në këtë dakordësi luan rol fakti se 33 përqind e popullsisë së Malit të Zi është me etni serbe. Por nuk ka ndryshuar kjo nga viti 2015, kur bota e civilizuar dënoi ashpër puccin konspiracionist serbo-rus në këtë vend! Duket qartë se Europa dhe SHBA besojnë se nuk u preken interesat, nëse Serbia dhe Mali i Zi bashkohen në një shtet të përbashkët. Një proces të tillë e kishte paralajmëruar edhe Donald Trump. Të gjithëve ju kujtohet deklarata e tij, kur thoshte se “një vend si Mali i Zi mund të na çojë në një luftë të tretë botërore”! Në fakt kjo është një e pavërtetë e madhe. Liria dhe pavarësia nuk çojnë në luftëra. Përkundrazi, thoshte Wilson, nuk është e drejta për vetëvendosje që shkakton konflikte. Konfliktet, thoshte ai, i shkakton rendja e Fuqive të Mëdha pas ekuilibrit të tyre”! Kjo po ndodh sot!

Megjithatë ky përcaktim uisollian nuk po funksionon më. Janë interesat amerikane dhe evropiane ato që përcaktojnë nëse do të ekzistojë ose jo Mali i Zi. Kush garanton nesër se për hir të këtyre interesave nuk do të vihet në dyshim ekzistenca e shtetit të Kosovës. Edhe pse ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kroacisë, Vesna Pusiç, thotë se “Kam frikë se po projektohen disa skenarë shumë të këqij, në kuptimin që Mali i Zi shihet si një lloj kompensimi ndaj Serbisë për Kosovën”! Nuk e di nëse është saktësisht kjo që po ndodh. Nesër mund të kemi një projekt tjetër për hartën ballkanike. Dhe nuk besoj se Mali i Zi do të jetë oferta e fundit për Beogradin. Kjo për faktin se orekset e Serbisë janë të njohura dhe përfshijnë Kosovën, Maqedoninë dhe së paku gjysmën e Bosnjë-Hercegovinës.

Loja në fushën e shahut të gjeopolitikës në Ballkan është ende e hapur. Është shumë vështirë të njohësh lëvizjet që mund të vijnë më pas. Askush nuk e di se çfarë po luhet dhe pse Perëndimi po revizionon politikën e tij ndaj Serbisë, aq më tepër në kundërshti me parimet e tij të respektit për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë! Lojtarë prominentë janë angazhuar në këtë skemë, përfshirë dhe ambasadorin amerikan në Beograd, Christopher Hill, i cili është kapur pas asociacionit serb në Kosovë. Nuk e lëshon këtë levë të plotësimit të interesave serbe në Kosovë.

Mali i Zi është sinjali i parë dhe i dukshëm për atë që po ndodh në Ballkan në dobi të interesave serbe. Por unë besoj se interesi më i madh serb është t’i bëjë vend Rusisë në rajonin tonë. Pikërisht këtë pasojë të lëshimeve të veta nuk po e vlerësojnë Brukseli dhe Uashingtoni. Kjo është e duhet të jetë pasojë e besimit që këto dy qendra kanë ndaj diplomatëve të ngarkuar me Ballkanin. Por harrojnë se diplomatët e çdo formati ndjekin interesin e karrierës së tyre diplomatike shumë më tepër sesa mendojnë për zgjidhje afatgjata!