Demanton Qeveria: BDI nuk ishte kundër uljes së rrogave për administratën, e kanë hallin e Ejup Halimit dhe Ismet Gurit

Disa mediume kanë filluar të trumbetojnë me të madhe se BDI pengoi uljen e rrogave të administratës. Burime në Qeveri thonë se BDI po e bënë këtë me qëllim që të defokusojë vëmendjen e opinionit nga dënimi i Ejup Halimit dhe Ismet Gurit, që gjithë partisë “tani i japin imazhin e partisë hajdute”.
Në këtë mënyrë, të njëjtat burime kanë demantuar që BDI ka qenë kundër uljes së rrogave të administratës shtetërore.
“Lexuam edhe ne në disa portale tentimet e BDI-së që të përvetësojë merita për gjoja mosuljen e rrogave të administratorëve. BDI as nuk ka shumicë në qeveri, as pozicion që të vendosë për rritje apo ulje të rrogave. Ata për momentin janë të parëndësishëm. Po bëjnë zhurmë që të defokusojnë vëmendjen e opinionit nga dënimi i Ejup Halimit dhe Ismet Gurit me nga 3 vite e gjashtë muaj burg për vjedhje të votave”, kanë thënë burime qeveritare.
Sipas tyre, jorastësisht BDI nuk del zyrtarisht të thotë se penguan uljen e rrogave, por vetëm lëshojnë dezinformata te mediumet që i kanë nën kontroll.
“BDI nuk ka pasur kurrfarë propozimi zyrtar që rrogat mos të ulen. Pas analizave plotësuese që kemi bë ndërkohë, si qeveri konstatuam se për momentin nuk ka nevojë për ulje të rrogave të administratës”, theksojnë këto burime.