Dehari: Të jemi të kujdesshëm pas lehtësimit të masave

Pas informacionit për rastin e parë rezident në komunën e Kërçovës me koronavirus, i cili është publikuar nga kryetari i komunës Fatmir Dehari, pasdite pati mbledhje Shtabi i krizës i cili solli vendim që të ndërmerren masa parandaluese në drejtim të izolimit të rastit.

Dehari, informoi se pas këtij rasti ka pasur kontakte me ministrin e Shëndetësisë, Institutin për shëndet publik në Manstir dhe me të punësuarit në spital, të cilët garantuan se rastet e dyshuara janë në izolim, si dhe se të gjithë anëtarët të cilët kanë pasur kontakte me të infektuarin me “Kovid-19” do të testohen.

Ai duke shprehur falënderim deri tek qytetarët të cilët pothuajse tre muaj ishin shembull për të gjitha qytetet tjera, apelon të mos lihet pas dore kjo situatë, veçanërisht tani pas lehtësimit të masave, Ai kërkoi që banorët e Komunës së Kërçovës të tregojnë durim, maturi dhe kujdes si deri më tani.

Ai informoi se është në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha institucionet, në cilësi të shefit të Shtabit të krizës dhe se ilaçi më i mirë ose mjeku për këtë pandemi është vetëdisiplina e secilit prej nesh.