Debati që minon standardin

Shkruan: Arbër Çeliku

Xha Nurja, fqinji im i mrekullueshëm, i cili ka migruar ndër të parët e fshatit për bukën e gojës në Zvicër, shpesh më ka mahnitur me gjykimet e tij të mprehta për mentalitetin tonë të veçantë. Meqë në Zvicër ka punuar gati një gjysmë shekulli në ndërtimtari, por edhe tani, kur vjen në vendlindje, edhe pse rreth 75 vjeç dhe në pension, nuk ndalet duke punuar, madje më ndihmon edhe mua, sa herë që bëj ndonjë punë të vogël në shtëpi. Një ditë, teksa ishin duke vënë ca rafte në garazhin tim, duke e vërejtur me gjasë se unë e bëja punën shkel e shko, “po të them diçka”, m’u drejtua. “Në Zvicër kur psh. bëhet një mur, mjeshtri fillimisht bën përllogaritjen e materialit dhe thotë, për këtë mur duhen 1000 tulla. Këtu te ne mjeshtrit veprojnë ndryshe. Ata më të vjetrit që e kanë mësuar si zanat nga përvoja, por që nuk kanë bërë kualifikim adekuat për këtë punë, thonë: 1000 tulla janë shumë, muri mund të bëhet edhe me 500 tulla, te ne nuk ka uraganë, dhe pjesët që mungojnë, i plotësojnë me copa të thyera tullash, lesh xhami a shkumë. Këta mjeshtrit e rinj, mbase edhe me kualifikimin e duhur, thonë jo, 500 tulla janë pak, por 700 tulla mjaftojnë. Dhe, kështu debati zhvillohet a nevojiten 500 apo 700 tulla dhe assesi të bien në ujdi dy taboret. Standardi prej 1000 tullave hiqet nga diskutimi”. Kësisoj ndodh edhe me debatin politik, është zyrtarizuar gjuha shqipe thotë pozita, jo, gjuha e 20% pohon opozita, i kanë realizuar shqiptarët të drejtat e tyre thotë pozita, jo, nuk i kanë realizuar pohon opozita, standardi përsëri kurrkund. Del BDI-ja, plot 20 vjet në partneritet të ngjizur këmbë e krye herë me VMRO-në dhe herë me LSDM-në dhe i akuzon që të dyja për “sulm politik”, del VMRO-ja dhe akuzon BDI-në për korrupsion dhe çkamos, duke qenë vetë lider në këtë fushë. Përsëri standardi kurrkund. Filloi politika shqiptare me diskurs populist, derisa u nginë me pasuri e pushtet jo tani, duam qytetari. Nuk eci as kjo, jo tani nuk jemi qytetarë, por po bëhemi rishtas patriotë. Përsëri standardi kurrkund. Njeriut të zakontë sa vjen e i zihet fryma nga çmimet astronomike, rinia ia mësyn rrugëve të botës, mediat zhvatëse aktualizojnë gjëmshëm debatin e flaktë se a mjaftojnë 500 apo 700 tulla për ndërtimin e murit, kurse opinioni intelektual dhe ai publik bëjnë sehir. Dhe, të gjithë tok, kontribuojmë për katrahurën në të cilën ndodhemi, pa përjashtim. Muri është ngritur më zi se një zandan, ani pse s’ka asnjë tullë brenda, por ja që imazhi neve na e ngop syrin, si gjithmonë.