Dauti: Rasti “Alfa” po zvarritet sepse nuk i kemi 11 milion euro (Video)

Ramiz Dauti, dëshmitar në rastin “Alfa” i është drejtuar me një apel publik Gjykatës Themelore Shkupi 1 përmes të cilin bën thirrje për rigjykimin e këtij procesi gjyqësor, pas ekspertizës së bërë për këtë rast. Në një prononcim për gazetën LAJM, Dauti tha se të dënuarit në rastin “Alfa” nuk janë fajtorë për veprën që ju ngarkohet dhe se nga gjykata kërkojnë drejtësi, jo mëshirë. “Ne nuk kemi 11 milion për ta blerë lirinë siç bënë ditëve të fundit disa persona që kanë kryer vepra penale”, tha mes tjerash Dauti për gazetën LAJM.

“KËRKES PUBLIKE DERI TE GJYKATA THEMELORE SHKUPI 1 DHE QEVERIA!
RASTI “ALFA” te meret seriozisht dhe te jepet vendim.
Nuk ka Asnje arsye per zvaritje gjithcka qe eshte kerku nga ne e kemi kompletu dhe e kemi dorzu.
Te e fundja,ne nuk po kerkojme meshire nga ju as favore.Ne KERKOJME VETEM DREJTESI,ne baze te fakteve dhe deshmive te Reja.
11 milion € ne nuk i kemi as nuk ja kena borxh askujt.
Ky rast do te ndjeket edhe nga instancat me te larta nderkombetare,andaj mos luani me jetë njerëzish mos kalkuloni me njerz te pafajshem JO MËSHIR POR DREJTESI!”, thuhet në apelin publik që Ramiz Dauti e ka postuar në Facebook.

Në qershor të këtij viti, mbrojta deri te Gjykata Penale dorëzoi edhe ekspertizën e kryer jashtë shtetit, në të cilën thuhet se Agim Islami nga Shkupi është i pafajshëm dhe është dënuar mbi dëshmi joligjore dhe të kurdisura. Rasti Alfa ka ndodhur më 26 nëntor 2008, në parkingun e Fakultetit matematiko-natyror në Shkup, nga ku jetën kishte humbur polici shqiptar nga njësiti Alfa, ndërsa ishin plagosur edhe dy kolegët e tij maqedonas me të cilët ai kishte qenë në patrullë. Në prill të vitit 2010, për këtë vrasje me burgim të përjetshëm u dënua Rexhail Qerimi dhe Agim Islami.