Dauti: Protesta para Gjykatës dhe Qeverisë nëse s’ka vendim për rastin “Alfa” (Video)

Ramiz Dauti, dëshmitar në rastin “Alfa”, ka paralajmëruar organizimin e protestave para Qeverisë dhe Gjykatës Penale në Shkup, nëse deri në fund të javës tjetër nuk merret vendim për kërkesën e mbrojtjes, e cila përmes ekspertizës së kryer jashtë vendit për këtë rast synon rigjykimin e lëndës, shkruan gazeta LAJM.

“Deri në fund të javës së ardhshme kemi me prit përgjigje për shkak se lënda jonë është në Gjykatën Themelore, nuk ka pse të zvarritet më tepër. Nëse deri në fund të javës tjetër nuk ka ndonjë informacion konkret për marrjen e vendimit atëherë duhet të mendojmë për protesta. Besoj nëse fillojmë me protesta do të bëhet bllokimi i rrugëve para Gjykatës, në Qeveri, deri në ditën kur të merret vendimi”, tha Dauti për gazetën LAJM.

Në qershor të vitit të kaluar, mbrojta deri te Gjykata Penale dorëzoi edhe ekspertizën e kryer jashtë shtetit, në të cilën thuhet se Agim Islami nga Shkupi është i pafajshëm dhe është dënuar mbi dëshmi joligjore dhe të kurdisura. Rasti “Alfa” ka ndodhur më 26 nëntor 2008, në parkingun e Fakultetit matematiko-natyror në Shkup, nga ku jetën kishte humbur polici shqiptar nga njësiti Alfa, ndërsa ishin plagosur edhe dy kolegët e tij maqedonas me të cilët ai kishte qenë në patrullë. Në prill të vitit 2010, për këtë vrasje me burgim të përjetshëm u dënua Rexhail Qerimi dhe Agim Islami.