Dardan Molliqaj, djall i djajve, mercenar i Hashim Thaçit!

Nga Elida Buçpapaj

Ka qenë e papranueshme ajo që na kanë parë sytë dje në Prishtinë, një lloj guerrilje urbane e udhëhequr nga opozita, që mund të kishte patur pasoja të paparashikuara. Gurët, thyerjet, makinat e coptuara, Dardan Molliqaj duke detyrur zyrtarët me dalë prej makinave e pastaj shkatërrim, demolim, tym e flakë.

Ky skenar duket sikur është lujtur veç për llogari të Hashim Thaçit e Isa Mustafës me i tregue botës së civilizuar e popullit të Kosovës : shiko o Perëndim, shiko o popull se çfarë katastrofe është opozita dhe sa të mirë jemi ne. Në fakt Thaçi dhe Isa Mustafa janë djaj, por Dardan Molliqaj me shokë janë djajtë e djajve.

Shkak i protestës të dhunshme ishte arrestimi i Donika Kadajt dhe bastisja nga policia e banesave të Albin Kurtit e Albulena Haxhiut. Arrestimi i deputetes të AAK është dhunë shtetërore, edhe bastisja nga policia është provokim, por edhe protesta e dhunshme e opozitës ishte provokim kundër provokimit. Thaçizmit, opozita ju përgjigj me ultrathaçizëm!

Jam dakord me deklaratën e ambasadores gjermane në Prishtinë si reagim i menjëhershëm ndaj tymit e flakës se « iniciativa e Presidentes dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullim të përkohshëm » të Zajednica-s « do të ishte shfrytëzuar si një mundësi për t’u angazhuar në dialog dhe diskutim për këto çështje. »

Ashtu është, ishte një moment për opozitën që të reflektonte, jo për t’u tërhequr por për të gjetur mënyra gandiste për të protesuar, jo tuj pi vetëm « çaj rrushi », por duke dhënë sinjale të qarta se opozita është kundër anarkisë dhe kaosit. Le të kujtojmë Pjetër Arbnorin kur hyri në grevë urie duke rrezikuar jetën. Ishte viti 1997 dhe RTSH nuk pranonte të jepte deklaratat e partisë opozitare, kur Arbnori shpalli grevën e urisë pasi u bë e qartë se koalicioni i shumicës kishte rivendosur censurën. Veprimi sublim i Arbnorit tërhoqi vëmendjen e Perëndimit, i cili e detyroi shumicën të miratonte në parlament “Amendamentin Arbnori”, që ishte një garanci formale e pavarësisë së shtypit nga ndërhyrja e shtetit.

 

Ka ardhur koha që Perëndimi

 

Ngulmoj të them se Dardan Molliqaj është blerë nga Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa sepse kjo është praktikë e Hashim Thaçit, aty ku gjen mundësi. Klika e Hashim Thaçit e ka mercenarizuar shoqërinë kosovare. Ble me para dhe vende pune. Thaçi dhe Mustafa kanë në shërbim të tyre pseudogazetarë mercenarë, gazeta e portale mercenare, zyrtarë mercenarë. Edhe bllokimi i diplomacisë këtë synim ka, me qëllim që të ushtrojë diktatin dhe ndikimin e vet edhe në Perëndim. Hashim Thaçi ka dështuar total në diplomaci, por diasporën shqiptare e ka bërë sallatë ruse.

Perëndimi nga ana e vet ka ardhur koha që të mbështesë liderë me integritet, pa skeletë nëpër dollapë e që rrjedhin prej një procesi fair dhe demokratik. Nuk mund të jetë kriza siriane dhe ata miliona refugjatë që dynden në Gjermani e Europë, që ta bëjnë Perëndimin të mbajë anën e Hashim Thaçit, me pretendimin se diktatura e e Hashim Thaçit prodhon stabilitet, sepse ky është iluzion. Edhe kriza siriane rrodhi për të njëjtat arsye sepse Perëndimi iu shmang përgjegjshmërisë.

Perëndimi duhet të ketë parasysh se aleanca PDK-LDK është e krijuar si deal i një kaste të korruptuar, që do të thotë se nuk e ka mbështetjen popullore të elektoratit, pasi dihet se Isa Mustafa gjithë fushatën elektorale e orientoi antiThaçi, si një denoncim dhe distancim i keqqeverisjes të Hashim Thaçit.

Kur Kosova humbi me tre vota anëtarësimin në Unesco si pasojë e ndërhyrjes të Serbisë, populli i dha të drejtë opozitës për mospranimin e Zajednica-s, ndërsa huliganizmi, vandalizmi si forma të guerriljes urbane në protestën e dhunshme në Prishtinë i kthehen në boomerang, e mbulojnë me turp opozitën dhe janë në favor të Hashim Thaçit.

Në prag të protestës Jakup Krasniqi si palë e opozitës u deklarua se nëse do të ketë eskalim dhune, Nisma do të largohej nga protesta, por në fund u eskalua dhunë dhe askush nuk u distancua.

Prandaj unë jam prapë dakord me dyshimet e ambasadores gjermane Angelika Viets sipas së cilës « protestat e opozitës s’kanë të bëjnë me Asociacionin, por lidhen kryekëput me themelimin e Gjykatës Speciale. »Edhe kjo qëndron.

Halli i madh, sikur kjo të jetë e vërtetë, që Kosova nga njëra anë të përballet me diktaturën e Hashim Thaçit, ndërsa ana tjetër me përfaqësues të opozitës si Dardan Molliqaj, të shitur e të blerë apo të friksuar nga Gjykata Speciale që veprojnë po në favor të Hashim Thaçit.