Haradinaj: Kurti patriot fals, nuk mund ta kërcënojë një shtet tjetër me fuqinë e NATO-s

Anëtari i AAK-së, Daut Haradinaj, ka thënë se kryeministri Albin Kurti është një patriot fals, i cili me fuqinë e NATO-s tenton ta kërcënojë një shtet tjetër.

Haradinaj, tha se Kurti mburrej me ngritjen e flamurit të Kosovës në komunat veriore, ndërkaq një ditë më pas protestuesit serbë vendosën flamuj serbë e simbole nacionaliste në autoblindat e Policisë së Kosovës.

“Kisha pasur dëshirë që zotëri Kurti ta kuptojë fillimisht seriozitetin e temës dhe të mos të merret me simbolika që kush është kryetari i parë i një komune që udhëheq me 0.3 për qind sepse e dimë mirë çka nënkupton një pjesëmarrje 0.3 për qind në një komunë. Pra të mos e luajmë rolin e një patrioti fals që sot shkon atje dhe thotë ja u ngrit flamuri për herë të parë në Republikën e Kosovës në pjesën veriore. Nuk po ngrihet flamuri, sepse të nesërmen kemi pasur një flamur të Serbisë në autoblindat e policisë së Kosovës, po të nesërmen do të thotë te institucionet më të larta të sigurisë u është shkruar edhe Z i Rusisë edhe SS e Serbisë”, ka thënë Haradinaj në Rubikon.

“Pra atëherë nëse ti pretendon me fuqinë e NATO-s ta kërcënosh një shtet, i cili është njëri ndër sponzorët më të mëdhenj të sigurisë jo vetëm në Kosovë, por edhe në botë, mendoj që është humbje e madhe për Kosovën”, ka shtuar ai.