CTS i jep të drejtë Napolit për ndeshjen ndaj Juventus, arsyetohet edhe mungesa e Rrahmanit

Komiteti Teknik Shkencor i Italisë e ka vlerësuar valide ndalesën e udhëtimit për skuadrën e Napolit.

Napoli mori vëmendjen më të madhe gjatë vikendit të kaluar, kur ata nuk udhëtonin për ndeshjen kundër Juventus.

Autoritetet shëndetësore lokale të regjionit Campania (ASL) i mohonin Napolit të drejtën për të udhëtuar drejt Torinos, për ndeshjen ndaj Juventus.

‘Zonja e Vjetër’ zbriste në fushë, me ndeshjen që nuk filloi asnjëherë, pasi Napolit dhe lojtarëve të tyre u ndalohej të lëviznin jashtë hotelit ku ata qëndronin, transmeton lajmi.net.

Rekomandimet shëndetësore thonin që lojtarët duhet të ndaleshin edhe për grumbullimet me kombëtaret e tyre, dhe kjo ia pamundësoi Amir Rrahmanit grumbullimin me Kosovën. Njësoj e pësoi edhe Fabian Ruiz me Spanjën, por edhe emra të tjerë që kishin obligime.

Gjithsesi, pas shumë debateve, tashmë për ‘Radio Kiss Kiss’ ka folur anëtari i Komitetit Teknik Shkencor të Italisë, Dr. Francesco Branconaro, i cili i ka dhënë të drejtë urdhërit të ASL.

“Protokoli ishte aprovuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe u bë valide nga CTS, që është organ qeveritar. Nuk shoh konflikt mes politikës dhe sportit, sepse ASL ka autoritet të kryej role specifike. Futbolli nuk vjen mbi gjithçka dhe është nën fuqinë e ASL për të ndaluar skuadrën të udhëtojë”, ka thënë Branconaro.

Komisioni Disiplinor tashmë është duke marrë kohën e vet për të vendosur nëse Juventusit do t’i takojë fitorja 3:0 në tavolinë.

Gjithsesi, ky sqarim i Dr.Branconaro heq dilemat nëse Rrahmani u obligua apo zgjodhi të linte grumbullin me kobëtaren. Sigurisht, një kapiten vetëm “i lidhur” lë kombëtaren e tij.