Cristiano Ronaldo futbollisti më i paguar në botë

Cristiano Ronaldo është futbollisti më i paguar në botë.

Sipas revistës Forbes, Ronaldo do të fitojë këtë sezon gati 107 milionë euro bruto, duke përfshirë një rrogë afër 60 milionë dhe më shumë se 40 milionë nga sponsorët personal dhe partneritete me marka të tilla si, Nike, Herbalife ose marka CR7, e cila përfshin parfume, veshje, hotele dhe palestra.

Sipas renditjes vetëm tre sportistë kanë më shumë fitime komerciale, tenisti Roger Federer me afërsisht 77 milionë, basketbollisti Lebron James me 55.5 milionë dhe lojtari i golfit Tiger Woods me 51 milionë.

Fituesi i pesëfishtë i “Topit të artë” ndiqet nga rivali i tij Lionel Messi.

Messi do të fitojë afër 94 milionë euro bruto, me një pagë prej 64 milionë eurosh, por me fitime më të ulëta komerciale. Ish-futbollisti i Barcelonës sponsorizohet nga kompani si Adidas, Pepsi e Budweiser.

Pozitat tre dhe katër do të mbahen po nga futbollistët e Paris Saint Germain.

Neymar, do të fitojë 81 milionë euro, pavarësisht se ka të njëjtën pagë si shoku i tij i skuadrës, Messi.

Kylian Mbappe, që e përfundon kontratën e tij vitin e ardhshëm dhe gjithçka tregon se ai do të përfundojë te Real Madridi, merr rreth 37 milionë euro. Paga e tij është vetëm 24 milionë, apo 37.5 përqind e asaj që marrin kolegët e tij.

Në top pesëshe është Mohamad Salah i Liverpoolit.

Salah do të fitojë 35 milionë euro.

Në këtë listë po ashtu gjendet edhe Andres Iniesta, Robert Lewandowski, Eden Hazard, Paul Pogba dhe Gareth Bale.