Covid-19 prezent edhe nëpër burgje, hetohet vdekja e të burgosurit në Idrizovë

Në mesin e viktimave të Covid-19, mbrëmë në Klinikën Infektive ndërroi jetë edhe 72 vjeçari, i cili ishte i burgosur, i transferuar nga Burgu i Idrizovës. Autoritetet e kanë diagnostikuar se i ndjeri M.Z. ndërroi jetë si pasojë e komplikimeve nga virusi korona. Nga Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve thonë se aktualisht edhe 19 të burgosur janë të infektuar pozitiv. Sipas tyre, 4 pavione janë vënë në kushte të karantinimit, ku për shkaqe shëndetësore të izoluar po mbahen rreth 200 të burgosur.

Të burgosurit tjerë në kushte anonimiteti na thonë se gjendja e tij shëndetësore ka qenë e rënduar prej kohësh nga sëmundje tjera. Ata ankohen për mungesë të kushteve sanitare dhe mjekësore.

“Situata është kritike me kovid, nuk kanë kontroll këta të burgut. Njerëzit që janë pozitiv i mbajnë nëpër pavione se nuk kanë vend ku ti izolojnë. Problem është nuk interesohet askush, nuk kanë gjetur zgjidhje për të burgosurit. Maska vetëm një herë na kanë sjell edhe pse janë për një përdorim. Ne vet organizohemi të ruhemi nga ana e burgut apo të shëndetësisë nuk janë interesuar fare”, tha një i burgosur anonim në Idrizovë.

Edhe nga pavionet tjera që nuk janë në izolim ankohen se prej një muaji ju kanë ndaluar vizitat e familjarëve të tyre nga jashtë. Muhamet Krasniqi nga Malisheva iu bën thirrje autoriteteve që të gjithë të burgosurit të trajtohen njësoj, sidomos në kohën e pandemisë që të mos vuajnë pasoja shëndetësore.

Vizitat na kanë ndaluar kur ka qenë situata jashtë kontrollit dhe tani prej gjysmës së nëntorit nuk kanë lejuar vizita nga jashtë shkaku i pandemisë. Javën e kaluar isha të mjeku sepse dyshoja për kovid sepse kisha një grip, temperaturë, ethe dhe dhimbje të kockave. Mjekja na tha se janë simptome të virusit, por të nesërmen kur na bënë testin ne dolëm negativ.”-pohoi Muhamet Krasniqi, i burgosur në Idrizovë

Që nga fillimi i pandemisë në burgun e Idrizovës ku aktualisht vuajnë dënimin 1,065 të burgosur, ka pasur dhjetëra raste të infektimit me CoVid-19. Kurimi brenda qelive zbatohet sipas protokollit në kurim shtëpiak me terapi adekuate anti-kovid. Në rast se iu përkeqësohet gjendja shëndetësore, ata transferohen në Klinikën infektive të Shkupit, të cilëve nuk iu bëhet roje policore për shkak të rrezikut të infektimit./Alsat