Çka do të ndërtohet pas shembjes?

Shkruan: Blerim Shala 

“Në verën dhe vjeshtën e vitit 1943, tashmë kishin nisur diskutimet në Washington për marrëdhëniet e SHBA-së me Bashkimin Sovjetik pas përfundimit të luftës. Kishte mbetur ende një pjesë e madhe e Luftës së Dytë Botërore, por për herë të parë, disfata e Hitlerit dukej e mundshme. Nuk ishte shumë herët të mendohet për llojin e paqes dhe llojin e marrëdhënieve në mes të fuqive kryesore të cilat ne duam t’i vendosim në botën e pas-luftës”.

Ky është një fragment nga dokumentacioni përcjellës të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në

SHBA, që ndërlidhet me historikun e përgatitjes së Dokumentit NSC-68, (1950), njërit prej më të rëndësishmëve dhe më vendimtarëve për epilogun e suksesshëm në përplasjen epokale në mes të SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik gjatë ‘Luftës së Ftohtë’.

Çfarë kuptohet nga ky fragment është që qysh në mesin e vitit 1943, kur lufta kundër Gjermanisë naziste ende nuk e kishte marrë atë drejtimin a pakthyeshëm, Administrata e Presidentit Roosevelt  (ndryshe, të vetmit në historinë e Amerikës që është zgjedhur tre herë President), kishte nisur të përgatitet për një Botë të re, e cila do të krijohet pas përfundimit të luftës më tragjike në historinë e njerëzimit.

SHBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik do të shndërroheshin, falë edhe armëve bërthamore që do t’i posedojnë në vitet 1945  (SHBA) dhe 1949  (Bashkimi Sovjetik), në superfuqi, të cilat do të nisin një konfrontim të paparë paqësor për ndikimin e tyre, që do të ndajë Botën në demokraci dhe në komunizëm.

Nuk ka dyshim që ky konflikt ka qenë vendimtar për krijimin e Aleancës Veri-Atlantike, për Planin Marshall të ndihmës financiare për Evropën Perëndimore të bërë shkrumb e hi nga lufta, për formimin e Bashkimit Evropian, për ngadhënjimin e demokracisë në Evropë, më në fund, për kthimin e Bashkimit Sovjetik/ Rusisë në kufijtë e saj të mëparmë, pas rënies së Murit të Berlinit dhe bashkimit të Gjermanisë.

Kush e di çka do të bëhej me Evropën pas vitit 1945, po mos të ishte ky kërcënimi që i vinte Perëndimit nga Lindja, dhe po mos të ishte Amerika e gatshme për të bërë gjithçka që duhet për ta mbështetur Perëndimin në Evropë.

Kjo Evropë, nuk do ta gëzonte asnjëherë paqen, sigurinë, mirëqenien.

Njëlloj sikurse në mesin e vitit 1943 në Washington kishin nisur të bëheshin analizat e para se si do të ndodhë ri-shpërndarja e fuqisë në Botë dhe çfarë Rendi Ndërkombëtar do të krijohet më pas, nuk ka kurrëfarë dyshimi që në Administratën e Presidentit Biden, prej 24 shkurtit të vitit të kaluar  (kur nisi agresioni i Rusisë mbi Ukrainën), e tutje, janë duke u bërë të gjitha vlerësimet e mundshme se çka do të mund të ndodhë në Evropë dhe në Botë pas përfundimit të Luftës në Ukrainë, e cila sipas të gjitha gjasave, në gjysmën e dytë të këtij viti do ta merr një drejtim të qartë kah një epilog i mundshëm i saj.

Ka qenë konstatim thuaja universal qysh në ditët e para të agresionit rus, që Rendi ndërkombëtar është shembur thuaja me të njëjtën shpejtësi si Muri i Berlinit, në nëntorin e vitit 1989.

Por edhe atëherë (në dimrin e vitit të kaluar), e edhe as sot e kësaj dite, është shumë vështirë të parashikohet se çfarë Rendi ndërkombëtarë do ta ngritet mbi gërmadhat e atij të mëparmit.

Çfarë dihet është që ‘faktori rus’ ka pasur pasoja identike për raportet dhe partneritetin në mes të SHBA-së dhe Evropës, siç ka qenë në vitin 1945.

Mbase, si asnjëherë më parë, që nga përfundimi i ‘Luftës së Ftohtë’, (në vitet 1989 – 1991), kemi një bashkëpunim në mes të Amerikës dhe Evropës.

Në anën tjetër, është shënuar afrimi i pashembullt në mes të Kinës dhe Rusisë.

Për shkaqe të njohura mirë prej të gjithë neve, kombi shqiptar, në ato vitet e epilogut të Luftës së Dytë Botërore, nuk ka ekzistuar të thuash fare si faktor që duhet të merret parasysh nga SHBA-ja kur bëhej fjalë për pasojat e përplasjes demokraci – komunizëm (apo Perëndim – Lindje) në Ballkan.

Tani, gjërat janë krejtësisht ndryshe. Kosova dhe Shqipëria kanë një rol të rëndësishëm në këtë udhëkryq të madh politik, dhe çka është më e rëndësishmja, janë në anën e drejtë të historisë. /Klankosova.tv