Çiftit nga Maqedonia i sekuestrohen 35,000 dollarë australianë në Aeroportin e Shkupit

Në Aeroportin e Shkupit, dogana ka zbuluar 68 mijë dollarë australianë të padeklaruar te dy shtetas të Maqedonisë, përcjell TV21. Ata kishin kaluar në kanalin e gjelbër pa deklaruar paratë. Pas kontrollit, secilit i janë kthyer nga 10 mijë euro në kundërvlerë, ndërsa 35 mijë dollarë janë sekuestruar.

“Zyrtarët doganorë në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, gjatë kontrollit të dy shtetasve të Maqedonisë– bashkëshortë, kanë gjetur 68 mijë dollarë australianë. Edhe pse me vete kishin një shumë të madhe valutash, në vend që të kalonin në kanalin e kuq, ata janë drejtuar në kanalin e gjelbër, i destinuar për pasagjerë që nuk kanë asgjë për të deklaruar. Pasagjerët janë përzgjedhur për kontroll të detajuar, gjatë së cilës janë zbuluar paratë e padeklaruara. Në përputhje me Ligjin për punë devizore, secilit prej tyre i janë kthyer valuta në kundërvlerë prej 10 mijë eurosh (gjithsej 33 mijë dollarë australianë), ndërsa 35 mijë dollarët australianë e mbetur janë konfiskuar. Drejtoria Doganore vazhdimisht ndërmerr aktivitete për parandalimin e transportit ilegal ndërkufitar të parave në dorë”, thonë nga Drejtoria e Doganave.