Chollet uron Kurtin për marrëveshjen e arritur në Ohër

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, e ka uruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për marrëveshjen e arritur në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë – gjatë një bisede telefonike të enjten.

Kështu thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit. Ata “folën për takimin e nivelit të lartë politik” mes Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe ky urim vjen “pas negociatave të gjata dhe të vështira”.

Kosova dhe Serbia më 27 shkurt u pajtuan për Marrëveshjen drejt normalizimit, apo që njihet ndryshe edhe si propozimi evropian. Ndërkaq, më 18 mars, palët u pajtuan për Aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se pavarësisht që kjo marrëveshje nuk u nënshkrua nga palët, e konsiderojnë atë obligative.

Marrëveshja me 11 nene nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

 

Më herët gjatë ditës, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se nëse marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë zbatohet, kjo do t’i hapte rrugën njohjes së Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur atë.

Edhe përfaqesuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se do ta monitorojnë “me kujdes se kush e zbaton marrëveshjen e kush jo”.

Shumë shtete të BE-së e kanë mirpritur marrëveshjen e arritur në Ohër, dhe kanë kërkuar që fokusi tani të drejtohet kah implementimi.

Burimet diplomatike në Bruksel kënë thënë se disa shtete kanë ftuar që të ketë “kujdes të shtuar“ nga ana e BE-së në mënyrë që të sigurohet zbatimi i plotë i të gjitha pikave të marrëveshjes dhe që të mos lejohet devijimi nga obligimet për asnjërën palë.