Chelsea përballë akuzave për shkelje të rregullave financiare

The Guardian ka publikuar një hetim në lidhje me financat e Chelseat, si pjesë e hetimit më të gjerë “Cyrpus Confidential” që ka të bëjë me korrupsionin në Mbretërinë e Bashkuar, BE, Ukrainë dhe Rusi.

Akuzat janë se gjatë epokës së Roman Abramovichit, klubi londinez ka bërë pagesa sekrete për përfaqësues të disa lojtarëve dhe trajnerëve dhe nuk ka raportuar për këto pagesa, duke rrezikuar shkeljen e rregullave të “Financial Fair Play”.

Blutë mund të përballet me sanksione financiare ose me zbritje pikësh në Premier League. Chelsea ka reaguar ndaj hetimit dhe deklarata e tyre është publikuar në Guardian.

“Akuzat paraprijnë pronësinë e tanishme të klubit. Ato janë bazuar në dokumente të cilat klubit nuk i janë treguar dhe nuk kanë të bëjnë me asnjë individ që aktualisht është në klub,” thuhet në deklaratë.

“Gjatë procesit të marrjes në pronësi, Todd Boehly dhe Clearlake Capital iu bë me dije se ka raportime potencialisht të paplota financiare që kanë të bëjnë me transaksionet historike gjatë pronësisë së mëparshme të klubit”.

“Menjëherë pas përfundimit të blerjes, klubi vete-raportoi proaktivisht këto çështje tek të gjithë rregullatorët e futbollit përkatës”.

“Në përputhje me parimet kryesore të grupit të pronësisë së klubit për përputhje dhe transparencë të plotë, klubi ka ndihmuar proaktivisht rregullatorët përkatës me hetime dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë”, thuhet më tej në reagimin e Chelseat.