Chelsea merr fitore dramatike ndaj Leeds United

Chelsea ka marrë fitore të vështirë, por shumë të rëndësishme ndaj Leeds United 3-2.

Londinezët u rikthyen te fitoret në Ligën Premier pas humbjes javën e kaluar në derbi nga West Ham United.

Mysafirët ishin të parët që kaluan në epërsi, kur realizoi braziliani Raphinha për 0-1.

Megjithatë mesfushori anglez, Mason Mount u përkujdes për ta barazuar rezultatin në 1-1 me një gol të bukur në minutën e 42-të.

Vendasit morën epërsinë në pjesën e dytë, kur italiani Jorginho realizoi nga penalltia për 2-1.

Mirëpo mysafirët nuk u dorëzuan dhe shtatë minuta para fundit barazuan gjithçka me Gelhardt.

Kur u mendua se ndeshja do të mbyllej baras, Chelsea fitoi një tjetër penallti të cilën e shënoi përsëri Jorginho për 3-2.

Me këtë fitore Chelsea vazhdon të mbetet në vendin e dytë në tabelë me 37 pikë, një më pak se lideri Man City.