Chelsea konfirmon transferimin e sensacionit brazilian Estevao Willian

Chelsea ka njoftuar se kanë arritur marrëveshje për të transferuar 17-vjeçarin Estevao Willian nga Palmeirasi verën e ardhshme.

Sulmuesi brazilian po kërkohej nga plotë klube të mëdha evropiane, madje edhe para se të bëntë debutimin e tij profesional, me Barcelonën që kishte shprehur interesim serioz për shërbimet e tij.

Por Chelsea ka arritur ta bëjë për vete Estevaon, i cili do t’i bashkohet “Bluve të Londrës” pasi t’i mbush 18 vjet vitin e ardhshëm.

“Chelsa është pajtuar për një marrëveshje për transferimin e sulmuesit Estevao Willian nga Palmeiras, me brazilianin që do t’i bashkohet zyrtarisht Chelseat verën e ardhshme”.

“17-vjeçari tashmë ka ndërtuar një reputacion të fortë në Amerikën Jugore si një prej talentëve më të mirë me driblimet dhe shpejtësinë e tij, duke i shkaktuar mbrojtjes kundërshtare shumë probleme në sezonin e tij të parë në futbollin profesionist”.

“Estevao është paraqitur në 10 ndeshje për Palmeirasin, duke kontribuar me dy gola dhe dy asistime, e po ashtu duke gjetur rrjetën edhe në Copa Libertadores dhe Copa do Brasil”, thuhej në komunikatën e Chelseat.

Estevao cilësohet gjerësisht si njëri prej lojtarëve të rinj më të mirë në botë dhe sezonin që lamë pas ka shkëlqyer me Palmeirasin së bashku me Endrick i cili do t’i bashkohet Real Madridit këtë verë.

Ky njoftim i Chelseat për blerjen e Estevaos vjen në më pak se 24 orë pasi u raportua se ata janë tërhequr nga gara për transferimin e Michael Olise i cili vendosi t’i bashkohej Bayernit.