“Çfarë sorte je ti” – babai i Zaevit “kacafytet” në fejsbuk me kryetarin e Kumanovës

Një postim i kryetarit të komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski për ngjarjet e 27 prillit të 2017 në Kuvendin e Maqedonisë ka nxitur reagimin e Pançe Zaevit, babait të ish-kryeministrit Zoran Zaev.

E ajo që e nxiti reagimin e babait të Zaevit ishte porosia e Dimitrievskit se “drejtësia nuk duhet të jetë selektive, ose dënime për të gjithë ose amnisti për të gjithë.”

“Drejtësia nuk guxon të jetë selektive, ose dënime për të gjithë, ose amnisti për të gjithë, por fatkeqësisht si gjithmonë vetëm të nënshtruarit dhe të varurit mbyllen, ndërsa skenaristi, regjisorët dhe politikanët dolën sërish dhe ranë dakord. Historia dhe gjeneratat e ardhshme do të gjykojnë se kush bëri gjënë e duhur”, ka shkruar Dimitrievski, përcjell INA.

Por ka reaguar Pançe Zaev, duke i thënë Dimitrievskit që të ketë turp, çfarë sorte (lloji) je ti?.

“Maksim, a nuk te vjen turp, ti ishte aty dhe patët fatin që të shpëtoni kokat gjallë dhe tani kërkon që të ketë amnisti për të gjithë. Çfarë ‘sorte’ je ti që sillesh sikur nuk je nga këtu. Turp të kesh Makso, që të kam trajtuar si djali im i tretë dhe si vëlla i Zokit”, ka shkruar Pançe Zaev.

Por, Dimitrievski i është përgjigjur se “ai është nga sorta e Kumanovës, dhe që e njejta që qëndronte dhe bënte gjumë me ditë e netë të tëra para Qeverisë, bashkë me të tjerë nga kjo ‘sortë’ që të mbrojnë atë për të cilën besonim të gjithë me sloganin “Nuk ka drejtësi, nuk ka paqe” për një shtet më të mirë, ku individi nuk do të jetë mbi ligjin.

Ky debat mes tyre ka vijuar edhe me komentues të tjerë që kanë vërshuar profilin e kryetarit të Kumanovës, i cili në zgjedhjet e fundit doli kandidat i pavarur, pas përjashtimit dhe mosmarrëveshjeve me partinë e tij LSDM. (INA)