Çfarë shqiptarësh duan maqedonasit?

Shkruan: Nikica Korubin

Kur para disa vitesh isha ftuar që ta paraqisja qasjen time rreth çështjes që lidhej me përkufizimin e feminizmit dhe qëllimit të tij (“Portretizimi i gruas në media maqedonase: Barazia gjinore – klishe, traditë ose e drejtë demokratike?”NikicaKorubin, Branko Triçkovski, LubomirKostovski, Fondacioni FridrihEbert, Shkup, 2014); në është, në çdo aspekt, barazi ndërmjet burrave dhe grave, unë me një kujdes të veçantë thashë se qëllimi kryesor i feminizmit nuk është barazia, por dominimi i gruas.

Gjithsesi, ky është përgjithësim dhe thjeshtëzim i një procesi të komplikuar dhe dinamik, për të cilin gjykoj se kam njohuri modeste dhe prirje për ta kundruar më shumë nga konteksti historik, por ky ishte asociacioni im i parë gjatë këtyre ditëve kur sërish kemi shpërthim të retorikës së kamufluar antishqiptare dhe shprehje të albanofobisë, në vend se të kemi gjykim individual për diçka që ndërlidhet me veprime individësh.

Pyetja që më imponohet është me sa vijon: a i besojnë përnjëmend maqedonasit “bashkëjetesës etnike” me shqiptarët apo nën maskën e bashkëjetesës, në të vërtetë, e nënkuptojnë dominimin e tyre të fshehur nën petkun e “shoqërisë qytetare”?

Kriza thelbësore e konceptit të shoqërinë qytetare këtu tek ne, përveç moskuptimeve politike dhe suspendimit të thelbit dhe kuptimit të rendit kushtetues, që bëhen sipas ritmit të përditshmërisë politike, shihet edhe në mirëkuptimin dhe interpretimin e momentit etnik, gjegjësisht kontekstit në gjithë këtë koncept. E kur themi se në një “shoqëri qytetare”, se në një shoqëri të këtillë, gjegjësisht brenda shtetit dhe para shtetit, të gjithë qytetarët janë të barabartë, pra në kuptimin e të drejtave dhe detyrimeve, kjo nuk do të thotë se përkatësia e tyre etnike nuk është e rëndësishme vetvetiu, por përkatësia etnike nuk guxon të prodhojë çfarëdo privilegjesh për një etnikum. Por, siç duket, nëpërmjet “qytetares” ekziston tendenca që të fshihet “etnikja”. Përse është kështu? Dhe përse ne si shoqëri i kultivojmë me shqetësim fobitë dhe antagonizmat, më së shpeshti të importuara, veçanërisht ne maqedonasit, që veçantinë tonë e interpretojmë dhe e përkufizojmë si antipod të diçkaje dhe jo si diçka burimore?

Spiridon Gopçeviqi në librin “Serbia e Vjetër dhe Maqedonia”, që e përshkruan territorin gjeografik të Maqedonisë në shekullin 19, duke rrëfyer për luftën ndërmjet propagandës bullgare dhe serbe në Maqedoni, e drejton narracionin sipas vizitave që ka bërë nëpër fshatrat dhe qytetet maqedonase, ku, e parafrazoj, fokusohet te pyetja për popullatën, duke iu referuar secilit prej dy personazheve kryesore, me shpresën se do të marrë përgjigjen e duhur: “A jeni bullgarë”?, “Jo”?; “A jeni serbë?” “Jo”. “Epo çfarë jeni atëherë”? “Të krishterë”.
Kjo është tragjedia e identitetit të vonuar maqedonas, i përcaktuar, në masë të madhe, edhe nga mungesa e shtetit si formë politike, gjegjësisht për shkak të pavarësisë së vonuar.

Ky identitet, që u ndërtua si antipod (e di se çfarë nuk është), por jo si identitet burimor (nuk e di se çfarë është), edhe sot e kësaj dite shfaqet si refleksion; e di se i “urren” shqiptarët dhe bullgarët, dhe më pak grekët, por nuk e di se përse. Kurse “maqedonizma” demonstrohet pikërisht duke u mbështetur te kjo. Ky kurth, ky paragjykim, që asnjëherë nuk ka qenë i hapur, ky tendenciozitet i kultivuar me kujdes, sot shfaqet si njëri nga rreziqet më të mëdha, si përballje me vetveten, me demonët dhe paragjykimet tona. Të imponuara, por edhe të pranuara si tonat dhe asnjëherë të rishikuara.

Pyetja kryesore se çfarë shqiptarësh duan maqedonasit është pyetja e gjithë shtytjes sonë për të ndërtuar një shoqëri të cilën duket se nuk duam ta ndërtojmë, nuk mund ta ndërtojmë ose thjesht aktrojmë se po e ndërtojmë. Maqedonasit përherë duan që shqiptarët t’i paraqesin si vetëm një prej shumë bashkësive etnike, duke e ulur kështu qëllimisht ndikimin e tyre real në ndërtimin dhe ekzistimin e shtetit bashkëkohor. Kjo ishte e dukshme veçanërisht gjatë diskutimit parlamentar për Ligjin mbi përdorimin e gjuhëve, kur retorika zhvillohej në stilin “nuk mund të kujdesemi vetëm për shqiptarët, por ne duhet të kujdesemi edhe për turqit, serbët, romët, boshnjakët, egjiptianët, kroatët, vllehtë”; duke bërë numërim të detyruar të të gjithëve dhe mundësisht të shtojnë edhe disa, me qëllim që në këtë “grumbull” të humben shqiptarët dhe të mbeten vetëm “një nga të shumtët”. Kuptohet, këtij qëndrimi të kamufluar nacionalist i mungon çdo kujdes për tjerët, por tjerët janë mbulesë e përsosur për kinse demonstrimin e multietnicitetit, gjegjësisht “shoqërisë qytetare”. Kurse, në fakt, këtu qëndron frustrimi burimor, ai për barazinë e maqedonasve dhe shqiptarëve në shtetin maqedonas dhe në kushtetutën e tij.

Përse është kaq e vështirë për maqedonasit etnikë që t’i pranojnë shqiptarët etnikë ashtu sikurse ata e shohin vetveten? Përse ende i shohin shqiptarët me sytë e antagonizmit serb, me sytë e “botës serbe”? Cili është raporti autentik i maqedonasve ndaj shqiptarëve, tani dhe në të kaluarën? Cili është konteksti historik? Përse kjo frikë nga bashkëqytetarët, përse kjo frikë nga superioriteti i tyre i supozuar? Për shembull, përse këtë nuk e shohim si përparësi për shtetin? Përse gjykojmë për nacionalizmin e tyre dhe nuk i rishqyrtojmë paragjykimet tona të ulëta dhe primitive? Përse duam vërtetim për autenticitetin tonë vetëm si opozitë, si e kundërta? Me çka na dëmtuan shqiptarët dhe cilin interes nuk e mbrojtën? Dhe përse na duhet edhe një model i “shqiptarit të mirë”, të cilit ia imponojmë kriteret që duhet t’i plotësojë për ta merituar respektin e maqedonasve (ta kritikojë nacionalizmin e vet, ta këndojë himnin, të jetë i kualifikuar për funksionin publik)? A kemi model “të maqedonasit të mirë”? A vlejnë të njëjtët kritere edhe për maqedonasit, për shembull “kualifikimi” për funksionin publik? Apo atëherë nuk jemi shumë të ndjeshëm për të gjykuar; cila është baza parimore?

Përse nuk na bie në sy gjithë ky diskurs i imponuar, gjithë kjo histori e konstruktuar, gjithë kjo propagandë e egër, e cila nuk na lejon t’i japim krah katarsës sonë? Asaj që është jona, burimore, maqedonase? Atëherë, mbase, do të akuzojmë më pak dhe do të mendojmë më shumë. E gjithë kjo që ndodh ende na pengon të jemi shtet modern, por yni. Yni, pa asnjë dallim.