Çfarë sekreti përmban një kuti votimi në Zajaz, që është më e vlefshme se 12 deputetë?

Nuhi Bexheti
Një kuti votimi në Zajaz nuk mund të ketë më shumë se 300 ose 400 vota. Nuk është as 5 për qindëshi i nevojshëm i votave për nja mandat deputeti. Prandaj me të drejtë parashtrohet pyetja se çfarë sekreti mund të përmbajë në vete një kuti votimi në Zajaz, që të refuzohen plot 12 deputetë, vetëm e vetëm ajo mos të hapet.
Po të kish qenë edhe Kutia e Pandorës, do të ja vlente të hapej në këtë situatë, kur çdo deputet është më se i rëndësishëm, e lëre më 12. Këmbëngulja e sinqertë e koalicionit ASH-AAA që t’i japë BDI-së të gjithë deputetët vetëm për hapjen e një kutie të votimit në Zajaz (cilën do që ta zgjedhë BDI-ja), vazhdon edhe më tutje. Mirëpo refuzimi për hapjen e tyre është edhe më i fuqishëm. Kjo ngren me të drejtë dyshimin se kutitë e votimit në Zajaz fshehin një sekret të turpshëm, nga i cili më së pari do të turpëroheshin vetë banorët e Zajazit, se si është keqpërdorur vota e tyre. Dyshimin se një kuti votimi në Zajaz është fija prej ku mund të fillojë shthurja e tërë lëmshit të vjedhjeve dhe manipulimeve zgjedhore. Dyshimin se liderët e mëdhenj përveç që në pleqëri gënjejnë për kryeministrin shqiptar, njëkohësisht edhe blejnë, manipulojnë e vjedhin vota në mënyrën “më demokratike” të mundshme. Këtu qëndron shkaku se pse 12 deputetë refuzohen për një kuti votimi në Zajaz me maksimum 300 ose 400 vota, sepse hedh hije të turpshme mbi 15 mandate tjera.

Prandaj nuk ka nevojë fare që BDI të dalë me platforma të shpifura me 5, 6 ose me 10 shtylla bashkëpunimi për subjektet shqiptare, kur nevojitet vetëm një shtyllë: Të hapet një kuti votimi në Zajaz dhe të numërohen votat. Mjafton këtë shtyllë të bashkëpunimit ta pranojë BDI dhe nëse është gjithçka në rregull me votimet, le të vazhdojë vetë me politikat e veta “kombëtare”, të cilëve aq shumë ua kemi pa hajrin tani e 18 vite. Deri sa refuzojnë, shqiptarët e kanë hak të protestojnë pa ndalë për përmirësimin e këtij falsifikimi.