Në katër vitet e kaluara me Komunën e Haraçinës menaxhoi Milikije Halimi e LSDM-së, ndërsa tani në krye të kësaj komune është Ridvan Ibrahimi kuadër i BDI-së. Me ndryshimin e pushtetit qytetarët shpresojnë se gjërat do të ndryshojnë, pasi siç duket edhe pas tërë këtyre viteve problem kryesor vazhdon të jenë uji dhe kanalizimi.
“Problem kryesor është uji dhe kanalizimi, ato janë kryesoret, ujë nuk ka Haraçina, edhe rrugët nuk janë të mira. Me ra shi, nuk mund të ecësh rrugëve”.
“Rinia nuk ka klub, ku të bashkohen dhe t’i shpalosin problemet e veta, nuk kemi çerdhe për fëmijët që është më kryesorja për gjeneratat e reja, ka shumë gjana që mungojnë, po shpresoj ky i riu mos bën diçka, se të gjithë ngelëm duke pritur me shpresën se, ky më i mirë, ky më i mirë. Shpresojmë për më mirë. Për mashallah nuk jemi asnjë”.
“Diçka ka punuar, diçka që ka premtu jo. Tani çka pritni nga kryetari i ri? Po ka ardh një i ri, tani mbajmë shpresa për diçka më tepër. Ta shohim, herët është njëherë”.
TV21 bisedoi me kryetarin Ibrahimi. Ai njoftoi se komuna gjatë ditës së djeshme ka miratuar buxhetin, por tha se është shumë simbolik dhe se nuk mjafton për ndonjë investim kapital. Ai shpresat i ka te ndihma e pushtetit qendror.
“Për fat të keq buxheti, mjetet e ndara nuk mjaftojnë për të bërë ndonjë projekt serioz, ndoshta sa për ndonjë mirëmbajtje por unë mendoj se kemi fillu në këtë drejtim të bëjmë disa projekte dhe siç e dini ekzistojnë institucione të ndryshme, me këtë rast edhe Ministria e Arsimit, që mendoj se përmes atyre do të bëj ndonjë investim më serioz”, deklaroi Ridvan Ibrahimi, kryetar i Haraçinës.
Buxheti i Komunës së Haraçinës për vitin 2022 është 125 milionë denarë. Ibrahimi tha se 90% e buxhetit do të shkojë në arsim, gjegjësisht për shkollat, në të cilat mungojnë arsimtarë dhe jo për rikonstruim, pasi siç thotë, të njëjtat nuk mjaftojnë. Ibraimi tha se nga pushteti i kaluar ka trashëguar borxh prej 70 milionë denarëve./TV21