Çfarë do të humbasë PSG me largimin e Messit: Të drejtat televizive, shitja e fanellave…

Paris Saint-Germaini mund të ballafaqohet me humbje të mëdha në rast se konfirmohet largimi i Leo Messit këtë verë, sipas ekspertëve të marketingut sportiv të konsultuar nga EFE.

Megjithatë, këta ekspertë nxjerrin në pah edhe aspektet pozitive të largimit të tij të pritshëm në qershor.

Konkretisht, ulja e faturës së pagave dhe përmirësimi i imazhit të vetë PSG-së, e cila në disa raste është akuzuar si tepër e butë me yjet e saj.

Një nga efektet e para negative të një Ligue 1 pa Messin mund të jetë rinegocimi në rënie i të drejtave ndërkombëtare, që do të prekte si PSG-në ashtu edhe pjesën tjetër të klubeve kryesore.

Kontrata me transmetuesin aktual, Bein Sports të Katarit, skadon në vitin 2024.

Ligue 1 aktualisht fiton 80 milionë euro në vit nga shitjet jashtë Francës, një shumë tallëse në krahasim me kampionatin spanjoll dhe mbi të gjitha me Premier League (rreth 2 miliardë euro në sezon).

“Mund të ketë një ndikim kur bëhet fjalë për rinegocimin e të drejtave ndërkombëtare që përfundojnë në 2024,” pranon Virgile Caillet, një nga drejtuesit më të njohur të marketingut sportiv në Francë.

Vincent Chaudel, një tjetër ekspert i fushës, është dakord se “nuk është njësoj të negociosh jashtë me tregje si Azia apo Amerika Latine” me Messin dhe Neymar në Ligue 1.

“Le të themi se në kontratën e ardhshme të drejtat ndërkombëtare do të përparojnë sepse aktualisht janë shumë të ulëta, por jo aq shumë nëse ata të dy nuk janë në Francë”, vëren Chaudel, i cili shton se nëse Messi shkon në një ligë që konkurron me Francën, siç është Spanja, dëmi eventual në Ligue 1 do të ishte më i madh.

I mënjanuar nga klubi për dy javë për shkak të udhëtimit të tij promovues në Arabinë Saudite, largimi i yllit argjentinas është një përfundim i paramenduar vetëm dy sezone pasi ai zbarkoi në Paris nga Barcelona.

E megjithatë rinovimi i tij edhe për një vit, deri në qershor 2024, ishte afër të ndodhte.

Nëse Messi përfundon duke paketuar valixhet, PSG-ja të paktën do të arrinte të amortizonte një pjesë të madhe të asaj që ka paguar për kapitenin argjentinas (të cilit i paguan rreth 80 milionë euro në sezon, duke përfshirë pagën, pagesat e sigurimeve shoqërore dhe stimujt) investim që madje do të kishte qenë fitimprurës nëse klubi do të kishte arritur të paktën në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve (ka humbur në dy edicionet e fundit në 1/16).

Në çdo rast, Messi mund të pretendojë medaljet për tërheqjen e të paktën tetë sponsorizimeve të reja dhe për dhënien e një shtytje të madhe shitjeve të fanellave të PSG-së, të cilat me lehtësi kaluan një milion në 2022.

“Ndoshta mund të ketë një rënie në këto shitje, rreth 10 për qind”, tha Caillet.

Një rënie eventuale e të ardhurave që “nuk do t’i lëkundet” aspak financat e klubit, shton ai.

Messi kontribuoi gjithashtu në shikueshmërinë në rrjetet e PSG-së, të cilat në janar 2022 arritën në 150 milionë ndjekës, 50 për qind më shumë se një vit më parë.

E gjithë kjo ndihmoi në përshpejtimin e të ardhurave të klubit, të cilat, duke përjashtuar të drejtat televizive dhe biletat e ndeshjeve, arritën një rekord prej 350 milionë në vit.

Megjithatë, si Caillet ashtu edhe Chaudel e minimizojnë largimin eventual të Messit dhe madje shohin aspekte pozitive.