Rritja e pagave të funksionarëve kushton 1.3 milionë euro në muaj

Shteti do të duhet të gjejë rreth 80 milionë denarë apo 1.3 milionë euro në muaj për të paguar pagat e reja të rritura të funksionarëve në Maqedoninë e Veriut.

Ky është vlerësimi i ministrit të Financave, Fatmir Besimi, i cili tha se rritja do të jetë për gati 1000 funksionarë, përfshirë politikanë, prokurorë, drejtorë dhe deputetë.

“Nuk kishim si të mësojmë për vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Bëhet fjalë për 1.00 funksionarë. Ligji përfshin gjykatës, prokurorë, kryetarë komunash dhe drejtorë dhe nevojiten rreth 80 milionë denarë (1,3 milionë euro) në muaj, apo rreth 960 milionë denarë (15 milionë euro) në vit”, deklaroi Besimi.

Ai sqaroi se paratë janë të paplanifikuara dhe do të shkurtohet nga vende të tjera, por nuk thuhet se nga cilët zëra të buxhetit.

Deri më tani në Kuvend nuk janë propozuar ndryshime në ligj, të cilat do të parandalojnë rritjen enorme të pagave për të zgjedhurit dhe të emëruarit.(INA)