Çeçenët që po luftojnë kundër Putinit në Bahmut: Nëse s’e mbrojmë Ukrainën, të gjithë humbasin (Foto/Video)

Aleatët më të rrezikshëm dhe më vdekjeprurës që ka Ukraina në luftën me Rusinë, janë çeçenët. Ata luftojnë si në anën e Rusisë, ashtu edhe në anën e Ukrainës, dhe janë armiqtë e mëdhenj të presidentit rus Vladimir Putin. Rusia ka shpallur një shpërblim për kapjen e separatistëve çeçenë që luftojnë për Ukrainën, por lëvizjet e tyre në fushën e betejës janë të mbuluara me fshehtësi.

Por “Sky News” ka arritur te futet në një bazë çeçene, pranë vijës së frontit në qytetin e rrethuar të Bahmut, në rajonin Donbass. Këta çeçenë ndanë njohuritë e tyre për luftën dhe armikun, gjatë xhirimeve me “Sky News”.

“Pas rusëve mbetet një tokë e mbuluar me kufoma”

Gazetarët e “Sky News” shkuan me makinë në bunkerin e separatistëve çeçenë në rrugët e pasme, për të shmangur vëzhguesit rusë. Kur hynë në Bahmut, panë ndërtesa të shkatërruara dhe vrima të mëdha predhash.

 

“Zëri i granatimeve ishte i vazhdueshëm dhe dukej sikur ishte afër. Brenda bunkerit takuam disa nga veteranët të kësaj lufte,” njofton “Sky News”. Batalioni çeçen i Sheik Mansour, lufton kundër Rusisë në Ukrainë, që nga viti 2014. Ata thonë se taktikat e armikut të tyre nuk kanë ndryshuar që nga fillimi i kësaj lufte.

“Ushtarët dërgohen si bagëti në thertore. Rusëve u mbetet një tokë e mbuluar me kufoma. Ata e bëjnë këtë çdo ditë, nuk kanë ndjeshmëri dhe asnjë keqardhje për njerëzit e tyre”, tha çeçeni Idris, për “Sky News”. Ky lloj luftimi u përdor nga Rusia në atdheun e çeçenëve gjatë viteve ’90.

Rekrutët çeçenë shkojnë të luftojnë me shpresën për të shkatërruar armikun e tyre.
“Të gjithë do të humbasin nëse nuk e mbrojmë Ukrainën”
Që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, çeçenët kanë luftuar për një shtet të pavarur. Rusia i mundi ata, pas fitores në luftën e parë çeçene, dhe më pas Putini solli në pushtet njeriun e tij te afërtë kryetarin aktual të Çeçenisë Ramzan Kadyrov. Forcat e Kadyrov po luftojnë në anën e Rusisë. Udhëheqësi i batalionit “Sheikh Mansour”, është komandanti Muslim Cheberlojevski. Është një nga njësitë e tyre më aktive.

“Rusia duhet të humbasë luftën dhe ajo duhet të përfundojë atje. Të gjithë do të humbasin, nëse ne nuk e mbrojmë Ukrainën,” thotë komandanti i batalionit çeçen.