Çashkë, shqiptarët akoma mësojnë maqedonisht

Ndërsa BDI-ja zotohet për mësimin e gjuhës shqipe edhe për maqedonasit dhe komunitetet e tjera, duke filluar nga klasa e pestë, nxënësit shqiptar të komunës Çashkë të Velesit vazhdojnë të arsimohen në gjuhën maqedonase. Tashmë sa vite, në shkollën fillore “Todor Janev” në Çashkë nuk lejohet hapja e paraleleve shqipe. Këshilltari Ramadan Amzovski fajëson pushtetin lokal dhe udhëheqësinë e shkollës për këtë problematikë..

“Kur bëhet fjalë për shkollën Todor Janev, qendra ku është, pikërisht për mua si këshilltarë komunal, jo që janë të vogla por thuajse nuk kam aspak shpresa duke e dëgjuar drejtorin dhe kryetarin e këshillit të shkollës në çfarë gjuhe flasin, edhe prindërit e nxënësve maqedonas”- deklaroi Ramadan Amzovski, këshilltar në komunën Çashkë, Veles.

Kandidati i BDI-së për kryeministër Naser Zyberi tha se mësimi i gjuhës shqipe nga maqedonasit nga klasa e pestë mundëson komunikimin e ndërsjelltë dhe nuk duhet kuptuar si hendikep por si përparësi, për të respektuar gjuhën, kulturën dhe historinë e njëri tjetrit.

Por, profesori Avzi Mustafa vlerëson se zotimet e BDI-së, në këtë rast, kanë të bëjnë me përfitimin e pikëve politike.

“Çështja e mësimit të gjuhës shqipe për komunitetet tjera ekziston si lëndë zgjedhore në planet dhe programet mësimore moti kohë. E tani, sa është zbatuar ajo nëpër ato mjedise ku janë të përziera nuk kam njohuri. Por, kjo që tani po del si kërkesë duket se është politike më tepër dhe ka të bëj për përfitimin e votave. Tash për tash, mendoj se kjo iniciativë te komuniteti maqedon duket si imponim dhe çdo gjë që është si imponim besoj se nuk ka sukses”- pohoi Avzi Mustafa, profesor.

Zbatimi i mësimit të detyrueshëm të shqipes në shkolla është jashtë dispozitave kushtetuese. Aktualisht kushtetuta parashikon mësimin e detyrueshëm të maqedonishtes për shkollat ku mësimi zhvillohet në cilën do gjuhë tjetër./Alsat