Carovska: Edhe në televizion do të transmetohen orët mësimore

Në të gjitha shkollat ka nisur lëshimi i fjalëkalimeve të nxënësve që gradualisht të fillojë testimi i Platformës për mësim në distancë. Ministrja e arsimit, Milla Carovska, thotë se në fillim mund të ketë vështirësi, por më e rëndësishme është që të fillojë viti shkollor dhe platforma të fillojë të funksionojë.

“Platforma mund të instalohet edhe në telefon dhe tablet, jo vetëm në kompjuter apo llaptop. Ajo është e lehtë për përdorim, nuk duhet performancë e veçantë për t’u vënë në përdorim në çdo shkollë.”,- deklaroi ministrja e arsimit, Mila Carovska.

Nedelkov: Në shumë shkolla nuk ka kushte për mësim online

Një numër i madh i shkollave nuk i plotësojnë kushtet për mësim online dhe nëse nuk sigurohen mjete teknike atëherë ato shkolla nuk do të mund të fillojnë mësimin më një tetor, thotë kryetari i Sindikatës së Arsimit dhe Shkencës, Jakim Nedelkov.

“Përsëri e them se sipas informacioneve tona, sipas anketave në shkolla, një numër relativisht i madh i shkollave akoma nuk kanë siguruar mjete teknike.”,- u shpreh kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedelkov.

Carovska: Orë 15 minutëshe do të emetohen në TVM

Për sigurimin e infrastrukturës janë kompetent komunat dhe drejtorët e shkollave, thekson ministrja Carovska, duke shtuar se bëhet fjalë për rrethana të jashtëzakonshme, prandaj të gjithë duhet të përshtaten dhe të japin kontributin e tyre në rrethanat e krijuara si pasojë e pandemisë. Rreth 40 mijë nxënës të cilët nuk kanë pajisje teknike do të mund të ndjekin mësimin nëpërmjet emisioneve që do të realizohen në servisin publik televiziv.

“Me byronë për zhvillimin e arsimit dhe TVM-në po caktohen terminet në të cilat do të mbahen orë nga 15 minuta për lëndë të caktuara që do të prezantohen në televizion, ndërsa shkollat duhet të dorëzojnë materiale që të mund të kenë informacione kthesë nga nxënësit që e kanë ndjekur mësimin në atë formë.”,- u shpreh ministrja e arsimit, Mila Carovska.

Shkollat po përgatiten edhe për mësim me prani fizike për nxënësit nga klasa e pare deri në klasën e tretë. Me vendim të qeverisë mësimi me prani fizike do të mbahet në 169 shkolla fillore dhe 14 shkolla të mesme.